Kosova përmbyll suksesshëm afatin për dorëzimin e ofertave për ankandin solar 100MW – pranohen 6 oferta
Prishtinë, 31.01.2024 – Qeveria e Kosovës është krenare të shpallë mbylljen e ankandit të saj të parë solar më 31 janar, duke ofruar një mundësi unike për investitorët që të shfrytëzojnë burimet e konsiderueshme të energjisë së ripërtëritshme të vendit.
Kosova ka pranuar 6 oferta, dhe mund të pranojë edhe të tjera përmes postës deri më 3 shkurt, kur edhe do të bëhen publike emrat e kompanive që kanë dorëzuar ofertë.
Procesi i ankandit ka qenë i hapur dhe transparent, duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit. Investitorët e interesuar kanë dorëzuar ofertat e tyre, të cilat Ministria e Ekonomisë do t’i vlerësojë në mënyrë të drejtë dhe profesionale në javët në vijim.
Komisioni vlerësues, i udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë dhe i përfaqësuar nga institucionet kryesore, përfshirë MAPHI-në, Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe KOSTT-in, do të vlerësojë ofertat kundrejt kërkesave minimale financiare, profesionale dhe teknike, siç janë përcaktuar në dosjen e tenderit.
Ofertuesit e kualifikuar do të kalojnë më pas në procesin e ofertimit elektronik ose “e-ankandit”, kur ata do të kenë mundësinë të ulin çmimin e tyre fillestar. Ofertuesi që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët në përmbyllje të “e-ankandit” do të shpallet fitues. Ky ankand i parë solar po tërheq investime të huaja dhe shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje me energji të qëndrueshme dhe të pastër.
Përveç ndikimit në sektorin e energjisë, ky projekt solar do të sjellë përfitime të shumta. Komunitetet lokale do të përfitojnë nga mundësia e vendeve të reja të punës, zhvillimi i shkathtësive dhe transferimi i teknologjisë.
Ankandi solar 100 MWh demonstron përkushtimin e Qeverisë karshi procedurave konkurruese dhe transparente për një tranzicion energjetik të orientuar drejt konsumatorit në Kosovë.
Për më tepër, një furnizim me energji elektrike më stabile dhe me kosto të ulët do të mbështesë të gjitha familjet dhe bizneset në Kosovë dhe do të ulë varësinë sezonale nga importi i energjisë.
Ky parashihet të jetë ankandi i parë prej shumë ankandeve solare dhe të erës në të ardhmen. Kosova fton investitorët dhe zhvilluesit që t’i bashkohen në shfrytëzimin e potencialit të vendit për energji të ripërtëritshme dhe të kontribuojnë për një të ardhme të qëndrueshme.
Për më shumë informata mbi procesin e ankandit solar dhe për të marrë pjesë në ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme, ju lutemi vizitoni: reskosovo.rks-gov.net