Kosova përfaqësohet në Takimin e 37-të të Grupit Koordinues për Efiçiencën e Energjisë
Vjenë, 24.03.2025 – Kosova ka marrë pjesë në Takimin e 37-të të Grupit Koordinues për Efiçiencën e Energjisë (EECG), i cili u mbajt më 20 dhe 21 mars në Vjenë, nën organizimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Ky takim mblodhi përfaqësues nga vendet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, për të diskutuar politikat, legjislacionin dhe financimin në fushën e efiçiencës së energjisë.
Kosova u përfaqësua nga Ministria e Ekonomisë, e cila luan një rol kyç dhe strategjik në zhvillimin dhe zbatimin e politikave të efiçiencës së energjisë. Përfaqësuesja e Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Aurora Popova, mbajti një prezantim të rëndësishëm, ku shpalosi përparimet më të fundit në politikat dhe legjislacionin kombëtar, si dhe zhvillimet kryesore në projekte dhe mekanizmat e financimit për rritjen e efiçiencës së energjisë në vend.
Duke pasur parasysh që një nga temat kyçe të takimit ishte roli shtetëror dhe privat në financimin e efiçiencës së energjisë, prezantimi i Ministrisë së Ekonomisë u pasua me një prezantim nga Fondi i Efiçiencës së Energjisë në Kosovë (KFEE), i cili mori pjesë për herë të parë në këtë ngjarje të rëndësishme, me përfaqësuesen, Ardiana Bokshi.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga Kosova, përfshirë Servet Spahiun nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Avni Sfishtën nga GIZ, të cilët kontribuan në diskutimet mbi politikat dhe financimin për projekte të qëndrueshme të efiçiencës së energjisë.
Për më shumë informata mbi takimin dhe temat e diskutuara, mund të vizitoni postimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në LinkedIn: Postimi në LinkedIn