Kosova është e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvajtin
Prishtinë, 31 mars 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka theksuar interesimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim ndërshtetëror me Kuvajtin në implementimin e projekteve zhvillimore të përbashkëta – në fushën e ekonomisë, ndërsa shprehu bindjen se ky vend së shpejti do të ndërmarrë hapa konkretë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Këto komente, ministri Beqaj i bëri sot gjatë takimit me Delegacionin e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë të Kuvajtit, të kryesuar nga Waleed Al-Tabtabae, kryetar i komisionit Ekzekutiv të Grupit, ku diskutuan mundësitë e bashkëpunimit bilateral.
Me këtë rast, ministri Beqaj ka ngritur mundësinë e dërgimit të punëtorëve sezonal në Kuvajt nga fusha e shëndetësisë dhe inxhinierisë, që do të ndikonte në uljen e papunësisë në Kosovë.
Duke u ndalë te mundësia e mënjanimit të taksave të dyfishta dhe mbrojtja e investimeve të huaja në vend, Beqaj tha se Kosova ka një bazë solide të legjislacionit për inkurajimin dhe mbrojtjen e investimeve të huaja direkte në vend dhe trajtimin e investitorëve të huaj në mënyrë të barabartë me investitorët vendorë.
Ministri Beqaj, gjithashtu ka njoftuar delegacionin nga Kuvajti me potencialet e Kosovës për investime me theks të veçantë ato në fushën e energjetikës, transportit dhe telekomunikacionit, duke theksuar se ky mandat qeverisës ka prioritet reformën në ekonomi.
Nga ana tyre, delegacioni nga Kuvajti njoftoi ministrin Beqaj, se ky vend është i gatshëm për ndihmë në formë të granteve në infrastrukturë dhe shëndetësi.
Gjithashtu, ata shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vlerësuar se kjo vizitë është realizuar me këtë qëllim.
Ndryshe, pjesë e delegacionit të Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë të Kuvajtit, përveç kryetart të komisionit Ekzekutiv të Grupit, Waleed Al-Tabtabae ishin edhe edhe; nënkryetari i Komisionit Ekzekutiv, Jamaan Al- Herbash dhe anëtarët; Mohammad Al- Mottery, Faisal Al Muslim, Hassan Johar.

