Kosova e Shqipëria formalizojnë bashkëpunimin në fushën e TIK-ut

Prishtinë, 19.03.2013 – Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të  Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar sot në Prishtinë një Marrëveshje Bashkëpunimi për bashkëpunim në fushën e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit (TIK).

Në emër të qeverive respektive, marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Besim Beqaj dhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit i Republikës së Shqipërisë, Genc Pollo.

Objektivi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit është vendosja e marrëdhënieve bashkëpunuese ndërmjet palëve me qëllim koordinimin e përpjekjeve në rrafshin shtetëror dhe ndërkombëtar, si dhe burimeve teknike, financiare dhe njerëzore me objektiv kryesor zhvillimin e bashkëpunimit teknologjik, gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e vështirësive në fushën e TIK dhe aktiviteteve inovative.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, ministri Besim Beqaj ka theksuar se bashkë me ministrin Pollo me aktivitete të dyanshme qeveritare është bërë e mundur që të vijnë para një akti jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

“Kjo është një Marrëveshje Bashkëpunimi e cila do të hap dyert e bashkëpunimit ndërinstitucional, hap dyert e bashkëpunimit ndërshtetëror, hap dyert e bashkëpunimit e prezencës sonë ndërkombëtare dhe normalisht kjo do të mundëson që ne të koordinojmë grupet teknike të përbashkëta, të cilat do të ulen për të diskutuar të gjitha sferat e bashkëpunimit. Është një marrëveshje e cila është një hap i parë edhe drejt mundësisë që ka të bëjë me angazhimin tonë të përbashkët drejt një roamingu i cili do të mundësonte që qytetarët tonë të kenë përfitime nga tarifat më të ulëta”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se ky është një angazhim i përbashkët edhe në nivelin ndërkombëtar, në harmonizim në shpërndarjen e frekuencave të radiove në brezat kufitare Kosovë – Shqipëri, angazhimin e përbashkët në sigurimin e kodit shtetëror të Republikës së Kosovës për të telefoninë në kuadër të angazhimeve që Shqipëria ka duke qenë anëtare e ITU-së.

“Sa i përket kodit kemi një angazhim të fokusuar që të bëjmë punën tonë të përbashkët e cila na mundëson që Kosova të bëhet e faktorizuar me këtë mekanizëm dhe ajo çka është jashtëzakonisht e rëndësishme është shkëmbimi përvojave, bashkëpunimi në fushën e legjislacionit në teknologjinë informative dhe të komunikimit”, tha Beqaj për të shtuar se kjo teknologji nuk është më vetëm teknologji, nuk janë vetëm pajisje fizike por është një motor i zhvillimit institucional dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Beqaj ritheksoi se Kosova është e gatshme të marrë përkohësisht kodin telefonik të Shqipërisë dhe kjo kërkon pajtimin e ITU-së, mirëpo dy vendet të harmonizuara do të punojnë që Kosova të merr kodin e vet shtetëror.

Ndërkaq, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit të Shqipërisë, Genc Pollo vlerësoi se kjo Marrëveshje e Bashkëpunimi është e  rëndësishme sepse është një ndër marrëveshjet të cilat do të forcojë dhe intensifikojë marrëdhëniet midis dy vendeve.

Sipas tij, marrëveshja është e rëndësishme për faktin sepse ka të bëjë me fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit e cila për vende si Kosova e Shqipëria është kyçe për zhvillimin e shpejtë, për kapërcimin e pengesave dhe sidomos rifitimin e kohës në drejtim të zhvillimit institucional, social dhe ekonomik.

“Ne parashikojmë të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme, në fusha që janë të prekshme për përdoruesit e internetit,  përdoruesit e telefonisë, sidomos asaj celulare dhe duke bashkëpunuar në një marrëveshje ndërshtetërore për roaming, ne do i mundësojmë që qytetarët e Kosovës apo Shqipërisë të cilët udhëtojnë në Bashkimin Evropian të kenë shpenzime më të ulëta derisa përdorin atje celularët e tyre”, tha ai.

Pollo tha se do të shikohet edhe mundësia për të zgjidhur probleme të ndryshme që Kosova i has në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, që një prej tyre është edhe prefiksi kombëtar i Kosovës, me ç’rast Shqipëria do të luaj gjithë rolin e saj duke qenë anëtare e plotë në Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, në ITU dhe në organizatat e tjera në mënyrë që të lehtësojë dhe mundësojë zgjidhjen e këtij problemi për Kosovën, në interesin e saj.