Kosova e përkushtuar në promovimin e energjinë së pastër

Prishtinë, 11.02.2022 – Është mbajtur takimi virtual i Iniciativës së Partneritetit Transatlantik të Energjisë dhe Bashkëpunimit Klimatik (P-TECC) dhe Grupit të Punës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energjisë së Rinovueshme.
 
Në këtë takim Qeverinë e Republikës së Kosovës e përfaqësoi zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, i cili tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të punojë drejtë diversifikimit energjetik të vendit dhe ruajtjes së sigurisë së furnizimit me energji, duke promovuar energjinë e pastër.

Gjatë fjalës së tij, po ashtu Arifaj theksoi se Kosova është duke e hartuar Strategjinë e re Kombëtare të Energjisë 2022-2031, e cila siguron një tranzicion të drejtë energjetik. Po ashtu njoftoi se është duke u punuar në Ligjin e ri për Energji të Ripertritshme, kurse Fondi për Efiçiencën e Energjisë (EE) po kalon reforma të mëdha për tu zbatuar edhe në sektorin e amvisërive, pasi deri më tani masat e efiçencës së energjisë janë zbatuar vetëm për sektorin publik.
 
Arifaj tha se Kosova është gjithashtu nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ku fokusi i Komunitetit të Energjisë është përmirësimi i integrimit të tregjeve të energjisë në rajon, transformimi i sistemeve, duke ndjekur politikat dhe zhvillimet brenda Bashkimit Evropian.
 
“Si pjesë e këtij traktati, Kosova angazhohet për zbatimin e legjislacionit evropian, duke përfshirë objektivat në fushën e energjisë së rinovueshme, efikasitetin e energjisë dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë”, tha Arifaj.
 
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministra të vendeve evropiane, përfshi edhe shteteve të rajonit.