Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit në sektorin e energjisë
Prishtinë, 18.11.2024 – Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozinovska, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në sektorin e energjisë.
Në Prishtinë sot është mbajtur mbledhja e përbashkët e qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku pas mbledhjes është nënshkruar protokolli për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit në sektorin e energjisë dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional.
Qëllimi i nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në sektorin e energjisë është të rritja e sigurisë, përballueshmërisë e qëndrueshmërisë energjetike, ku bashkëpunimi rajonal është kyç.
Marrëveshja parasheh, ndër të tjera, iniciativa të përbashkëta në projekte të BRE-ve, si dhe mundësitë e shkëmbimit ndër-shtetëror të energjisë dhe ekspertizës teknike mes ndërmarrjeve tona publike të energjisë.