Kosova dhe Bullgaria kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjetikës
Prishtinë, 26 shkurt 2010 – Ministria e Energjisë dhe Minierave e Republikës së Kosovës (MEM) dhe Ministria e Ekonomisë Energjisë e Republikës së Bullgarisë kanë nënshkruar sot në Sofje një marrëveshje bashkëpunimi me të cilën parashihet intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale në sektorin e energjisë, komfor politikave dhe strategjive kombëtare.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka- Pula dhe ministri i Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit i Bullgarisë, Traycho Traykov.
Me këtë rast Ministrja Pula ka theksuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është e një rëndësie të veçantë në kuadrin e bashkëpunimit rajonal në fushën e energjisë dhe për faktin se Bullgaria është vend anëtar i Bashkimit Evropian.
“Integrimi i Kosovës në BE është prioritet madhor i yni. Për këtë, ne kemi nevojë për ta shtuar bashkëpunimin dypalësh rajonal dhe ndërkombëtar. Po e realizojmë këtë në kuadër të traktatit për Komunitetin e Energjisë dhe po përpiqemi ta vendosim dhe shtojmë me vendet anëtare të BE-së. Në këtë aspekt, kjo Marrëveshje që po e nënshkruajmë sot në Sofje është e para”, tha ministrja Pula.
Ministrja Pula tha se MEM do të angazhohet që të realizohet kjo Marrëveshje në të mirë dhe interes të të dyja vendeve, ngase Kosova ka nevojë për përvojën e Bullgarisë, e cila në vitin 2007 u fut në BE, dhe e ka të freskët punën e madhe që iu desh për t’u bërë pjesë e BE-së.
Marrëveshja e nënshkruar mes dy ministrive parasheh që palët të definojnë si prioritete fushat e bashkëpunimit në sektorin e energjisë elektrike, thëngjillit, gazit natyror, burimeve të ripërtërishme të energjisë, efiçiencën e energjisë, furnizimin e sigurt me energji elektrike, si dhe ndihmën në përgatitjen dhe implementimin e nismave infrastrukturore, apo të projekteve të ndryshme.
Gjithashtu, palët nënshkruese do të këmbejnë informata mbi sektorët e tyre të energjisë, përfshirë ato mbi zhvillimin e politikave të tyre energjetike, proceset e privatizimit, harmonizimin e kornizave ligjore dhe rregullative me ato të Bashkimin Evropian, si dhe informatat mbi prioritetet e përshkruara më lartë.
Për këtë palët janë pajtuar që ta formojnë një ekip të përbashkët operativ të ekspertëve nga të dyja ministritë dhe përfaqësues të ndërmarrjeve të tyre shtetërore, përfaqësues të ministrive për asistencë, konsultime dhe propozime për hapat e mëtutjeshëm në bashkëpunim për zbatimin e aktiviteteve të miratuara me këtë Memorandum të Mirëkuptimit.

