Kontrata me Contour Global shkon në Arbitrazh

 

Prishtinë, 01.12.2020 – Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ka mbërritur njoftimi nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes), përmes të cilit jemi njoftuar për hapjen e kontestit me investitorin Contour Global.

 

Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global.

 

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.