Komuna e Vushtrrisë bëhet me fabrikë të ujit, premtohen investime në rrjet

Prishtinë, 27.05.2016 – Nga sot qytetarët e Komunës së Vushtrrisë do të kenë furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm. Kjo falë investimit në fabrikën për përpunimin e ujit, investim i Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Vushtrrisë, që u inaugurua sot në fshatin Balincë të kësaj komune.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës së ujit ishin Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, deputetë, drejtues të KRU Mitrovica dhe qytetarë të kësaj zone.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se më në fund iu dha zgjidhje problemit të ujit të dhjetëra mijëra banorëve të Komunës së Vushtrrisë, duke vënë në punë fabrikën e re të ujit të pijshëm. Ai tha se kjo fabrikë përbën një investim serioz me teknologji të avancuar që do të sigurojë furnizim të vazhdueshëm e cilësor me ujë, duke përmirësuar ndjeshëm mirëqenien e qytetarëve të zonës.

Ndërsa, Ministri Blerand Stavileci tha se Qeveria krahas sektorëve tjerë është duke punuar që të realizojë më shumë projekte që janë në të mirë të qytetarëve të vendit, e projekt i tillë është edhe fabrika e ujit këtu në Vushtrri.

“Ky është projekt shumë domethënës për qytetarët e kësaj komune, por edhe më gjerë. Në të njëjtën kohë ne marrim zotime të përbashkëta që të vazhdojmë me investime nga të cilat rriten kapacitetet prodhuese, respektivisht furnizimi i qëndrueshëm e cilësor me ujë të pijes”, tha ai.

Stavileci ka bërë të ditur se ka biseduar me kryetarin Bajram Mulaku për projektin e ri të zgjerimit të rrjetit aktual dhe instalimin e rrjetit të ri në vendbanime të caktuara.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se kjo komunë ka vuajtur shumë për ujë të pijes, por me këtë investim shpreson që do të ketë ujë të bollshëm për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë, duke  porositur ata që ta ruajnë ujin e pijes dhe të paguajnë për ujin e shpenzuar.

Ndryshe, fabrika për përpunimin e ujit të pijshëm, është një investim i buxhetit të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Vushtrrisë në vlerë prej 8.5 milionë euro. Fabrika e ujit me kapacitet prej 350 l/sec do të sigurojë ujë të mjaftueshëm për banorët e Vushtrrisë.