Komentet dhe sugjerimet në lidhje me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike
Për: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE)
Nga: Qeveria e Republikës së Kosovës
Data: 28.03. 2025
Tema: Komentet dhe sugjerimet në lidhje me shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar raportet konsultative dhe ka analizuar trendet në sektorin e energjisë elektrike, përfshirë trendet e konsumit, prodhimit, importit, dhe strukturën e konsumit. Në bazë të këtyre analizave, më poshtë janë të përmbledhura kërkesat për sqarime dhe komentet e sugjerimet në bazë të të cilave konsiderojmë që duhet të ulet niveli i propozuar i rritjes së tarifës dhe barra e rritjes të shpërndahet në mënyrë të drejtë.
- Reflektimi i prodhimit të shtuar nga blloku B2 pas modernizimit të turbinës
Ne jemi të vetëdijshëm që ndalja e bllokut B2 për më se 4 muaj gjatë këtij viti ka rritur parashikimet e importit dhe rrjedhimisht edhe presionin për rritje të tarifave.
Mirëpo, njëkohësisht ZRrE duhet të marrë parasysh efektet pozitive nga investimet në bllokun B2 të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për modernizim të turbinës dhe investimet tjera të planifikuara do rezultojnë me:
- rritje të kapacitetit e prodhimit për 14-17 MW që nga fundi i shtatorit;
- rritje të prodhimit për rreth 30 GWh në periudhën tetor-dhjetor 2025.
Duke marrë parasysh që këta janë muajt më kritikë të vitit kur çmimet e blerjes së energjisë dhe tarifat e transmisionit janë më të larta, vijmë në përfundim se:
- konsujmatorët do të kursejnë së paku 6 milionë euro në import gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, gjë që duhet të reflektohet në ulje të hyrave të lejuara dhe rrjedhimisht të propozimit për rritje të tarifave.
- Sasia dhe çmimi i importit të energjisë elektrike
Nevoja për import gjatë vitit 2024 identifikohet si një nga arsyet kryesore për propozimin e rritjes së tarifave. Nga analiza e të dhënave të sektorit shohim që:
- prodhimi i energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK) ka pasur një rritje prej 7% krahasuar me vitin paraprak, dhe ngjashëm edhe prodhimi i gjithëmbarshëm vendor (sipas të dhënave nga KOSTT);
- Çmimi i shitjes së energjisë elektrike nga KEK-u ka mbetur i njëjtë;
- konsumi i gjithëmbarshëm në vend është ulur për rreth 0.9% në krahasim me vitin paraprak(sipas të dhënave nga KOSTT); ndërsa konsumi i amvisërive është rritur për 0.85% (sipas të dhënave nga FSHU-KESCO);
- importi i gjithëmbarshëm i energjisë elektrike në vend është ulur për 2.5% në krahasim me vitin paraprak (sipas të dhënave nga KOSTT).
Megjithëse të dhënat e Bursës Hungareze të Energjisë Elektrike (HUPX) tregojnë se çmimi mesatar gjatë vitit ka mbetur përafërsisht i njëjtë. Me gjithë rritjen e dukshme të çmimi gjatë muajve të dimrit, p.sh., sipas HUPX çmimi mesatar ishte rreth 65% dhe 75% më i lartë krahasuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak, nëse i shohim këto të dhëna si tërësi është e paqartë se si ka ardhur deri te një dallim kaq drastik i parashikimit në krahasim me procesin tarifor të vitit të kaluar kur jo vetëm që nuk kishte rritje, por kishte ulje të tarifave për bllokun mbi 800 kWh dhe për bizneset.
Rrjedhimisht, konsiderojmë që:
- çështja e kostos së importit duhet të analizohet seriozisht nga ZRrE, duke përfshirë komponentet që kanë rezultuar me rritje të vlerës së importit, dhe e njëjta të sqarohet për publikun;
- të vlerësohet nëse ato kanë mundur të menaxhohen më mirë nga operatorët dhe, në rast se po, të mos pranojë shpenzimet dhe/ose të detyrojë operatorët të ndërmarrin hapa për përmirësim;
- efeket e këtyre përmirësimeve të reflektohen në uljen e të hyrave të lejuara të operatorëve gjatë këtij viti, dhe rrjedhimisht zbutjen e efektit në rritjen e propozuar.
- Trendet në strukturën e konsumit sipas grupit të konsumatorëve
Analizat tona të strukturës së konsumit (sipas të dhënave nga FSHU-KESCO) ndër vite tregojnë disa trende në strukturën e konsumit që konsiderojmë që janë pozitive:
- konsumi i amvisërive që po rritej me ritme jashtëzakonisht të larta prej mesataraisht 7.2% në vit në periudhën 2017-2021, duke rritur edhe nevojën për import, tashmë është stabilizuar. Në 3 vitet e fundit, konsumi i amvisërive është rritur për më pak se 0.2% mesatarisht;
- konsumi i bizneseve në treg të rregulluar është rritur mesatarisht për 6.5% në tri vitet e fundit;
- si rezultat, pjesëmarrja e bizneseve në konsumin e energjisë elektrike në treg të rregulluar është rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur rekordin prej 38% të konsumit, nga 31.9% e 32.9% sa ishte në vitet 2020-21;
- një pjesë e konsiderueshme e konsumit gjatë dimrit vjen nga një përqindje e vogël e konsumatorëve, p.sh.: në nëntor 2024, 12% e amvisërive (me konsum mbi 1000 kWh) kanë konsumuar 39% të energjisë elektrike të gjithëmbarshme; ose, në janar 2025, 9% e konsumatorëve (me konsum mbi 2000 kWh) kanë konsumuar 29% të energjisë së gjithëmbarshme elektrike, dhe më shumë se të gjithë konsumatorët që kanë shpenzuar nën 800 kWh së bashku.
Këto trende tregojnë që:
- vendosja e bllok-tarifës nga ZRrE dhe zbatimi e përkrahja e investimeve në efiçiencë të energjisë nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë pasur sukses në frenim të konsumit, dhe kjo përkundër kyçjes në sistem të 63 mijë shtëpive e banesave të reja;
- rritja e konsumit për dallim nga e kaluara, tani po vije kryesisht nga bizneset që tregon rritje të aktivitetit ekonomik;
- mirëpo, megjithatë, ka një koncentrim tejet të lartë të konsumit tek një numër i vogël i konsumatorëve shtëpiakë që kanë nivel konsumi jashtëzakonisht të lartë (mbi 2000 kWh ose edhe mbi 3000 kWh).
Duke marrë parasysh këto më lart, konsiderojmë që është e drejtë që:
- ZRrE në parashikimin e konsumit dhe importit të reflektojë saktë frenimin e rritjes së konsumit të amvisërive, dhe rritjen e konsumit të bizneseve, një pjesë e të cilave do të dalin në treg, duke ulur presionin në tarifa të rregulluara, duke ulur kështu të hyrat e lejuara dhe rrjedhimisht edhe rritjen e propozuar të tarifave.
- konsumatorët që konsumojnë më pak se 800 kWh në muaj të mos kenë rritje të tarifës;
- konsumi i amvisërive mbi 800 kWh të ndahet në më shumë breze (blloqe), dhe tarifat të jenë progresive ashtu që të mbrojnë konsumatorët që shpenzojnë më pak dhe të nxisin kursimin te ata që kanë nivele jashtëzakonisht të larta konsumi;
shpërndarja e barrës të merr parasysh trendet e konsumit (dhe rrjedhimisht nevojës për import) nga amvisëritë dhe bizneset që kanë ndryshuar, dhe faktin që gjatë viteve të kaluara amvisëritë e bartur barrë më të madhe të rritjes krahasuar me bizneset.