Koci: Kosova në rrugë të mirë të përmbushjes së obligimeve energjetike
Prishtinë, 15 maj 2013 – Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci së bashku me Thomas Lersten përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Christian Geostis atashe në Ambasadën austriake, Markus Baechler drejtor i Zyrës zvicërane për bashkëpunim, Katri Hameenniemi këshilltare në Ambasadën e Finlandës , Kristof Buza sekretar në Ambasadën e Hungarisë ,Yasushi Kikuchi drejtor në JETRO –Vjenë, kanë vizituar Termocentralin “Kosova A”.
Me këtë rast pjesëmarrësit e konferencës së djeshme të donatorëve për energjinë e qëndrueshme në Kosovë janë informuar me të arriturat dhe investimet që janë bërë në fushën e energjisë.
Zëvendësministri Koci më këtë rast ka pohuar se Kosova do të përmbush të gjitha obligimet që dalin nga Traktati I Komunitetit të Energjisë dhe rregullave evropiane.
“Tanimë dekomisionimi i “Kosovës A” është pjesë e strategjisë dhe një gjë e tillë do të ndodhë duke futur kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë dhe ne si Qeveri jemi në përpjekje për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese “ – ka thënë zëvendësministri Koci duke shtuar se kjo do të bëhet me ndihmën e shteteve që janë të interesuara të investojnë në Kosovë, të cilat edhe kanë mbështetur Kosovën në fazat e rimëkëmbjes në fushën e energjisë.
Ndërsa, Arben Gjukaj drejtor gjeneral i KEK-ut se kjo Korporatë po i kushton kujdes të madh edhe ambientit i cili është i domosdoshëm të ruhet.
“Në “Kosovën B” kemi katër vite që kemi transport të mbyllur dhe zero ndotje në ambient, ndërsa në “Kosovën A” muajin e ardhshëm do ta inaugurojmë transportin e ri dhe është bashkëfinancim i Bankës Botërore me 1 milion euro, ndërsa 7 milionë nga KEK-u.
Ndryshe, pjesëmarrësit janë informuar se në vitin e kaluar KEK-u ka shpenzuar afro 55 milionë euro në projekte ambientale, i cili investim llogaritet të jetë më i madhi në regjion sa i përket aspektit ambiental.