KKZHE aprovoi Koncept Dokumentin për themelimin e OSS për BRE

Prishtinë, 11.12.2015 – Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ka mbajtur takimin e radhës nën drejtimin e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, ku u diskutua për hapat e mëtejmë në avancimin e reformave për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndër të tjera, KKZHE në këtë takim ka aprovuar Koncept Dokumenti për themelimin e ‘One Stop Shop’ (OSS), për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj – Gashi ka vlerësuar se OSS kontribuon në rritjen energjetike në vend, përmirësimin e klimës së të berit biznes, rritjen e investimeve dhe rritjen ekonomike, uljen e perceptimit për korrupsionin, thjeshtësimin e kërkesave rregullative të cilat aktualisht janë te mbivendosura për dhënien e lejeve.

Sipas saj, OSS nuk do te ketë rol ekzekutiv, as kompetenca të lëshojë apo refuzojë leje apo licenca, por do te ketë rol informues, në ofrimin e informatave për tërë procesin administrativ dhe për secilën teknologji, pastaj rol koordinues, në mes të agjencive ekzekutive të nivelit qendror/lokal dhe operatorëve të rrjeteve, duke ndarë informacione për listën e aplikuesve, në cilin stad të procesit gjenden aplikuesi si dhe monitorimin e statusit te aplikacioneve.

Zv.ministrja Zogaj-Gashi tha se koncept dokumenti për OSS/BRE, është një punë e palodhshme e Grupit Punues Ndërinstitucional, të përbërë nga: MZHE, MMPH, MTI, MBPZHR, KESCO, KEDS, KOSTT, ZRRE dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ajo me këtë rast ka falënderuar për mbështetje USAID/RePoëer dhe Bankën Botërore, të cilat kanë mbështetur hartimin e Koncept Dokumentit për OSS për BRE  që nga fillimi i nismës.