Këshilli i 15-të Ministror vendos për vizionin për politikat për klimë dhe energji post-2020 në Komunitetin e Energjisë

Prishtinë, 15.12.2017 – Në mbledhjen e sotme në kuadër të kryesimit të Kosovës  në Prishtinë, Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë filloi një proces që ka për synim vendosjen e caqeve për energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe reduktimin e emetimit të gazrave me efekt serrë. Palët Kontraktuese do të mbështeten me udhëzimet për përgatitjen e Planeve të integruara Kombëtare për Energji dhe Klimë, të adaptuara për t’iu përshtatur specifikave të Palëve Kontraktuese dhe së shpejti do të prezantohen para Sekretariatit të Komitetit të Komunitetit për Energji dhe Klimë. Mekanizmi i ri do të sigurojë një kornizë të fortë për raportim të kanalizuar dhe zbatim transparent të politikave për energji dhe klimë. Palë individuale kontraktuese, si Shqipëria, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’i integruar që tani planet e tyre për energji dhe klimë.

Takimi u hap me një fjalim nga Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, dhe është bashkëkryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, z. Valdrin Lluka, dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Energji në Komisionin Evropian, z. Christopher Jones.

Ministri Lluka tha: “Ekziston një nevojë e qartë për një politikë më gjithëpërfshirëse dhe konsistente për prodhimin dhe konsumin e qëndrueshëm të energjisë dhe unë sinqerisht e mirëpres faktin që Komuniteti i Energjisë do të luajë rol më aktiv. Sfidat e ardhshme janë të mëdha dhe do të kërkojnë përpjekje të koordinuara. Prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe efiçienca e energjisë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë, vazhdojnë të jenë kritike për të garantuar siguri të energjisë dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik “.

Këshilli Ministror mori në konsideratë zbatimin e legjislacionit të Komunitetit të Energjisë. Për sa i përket energjisë së ripërtëritshme në veçanti, Këshilli shprehu shqetësimin që shumica e Palëve Kontraktuese janë nën trajektoren e arritjes së caqeve të tyre kombëtare të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020. Për më tepër, Sekretariati dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim paraqitën në Këshillin Ministror draft Politikën e përbashkët të Udhëzimeve për Zgjedhjen dhe Mbështetjen Konkurruese për Energjitë e Ripërtëritshme, të cilat, kur të zbatohen, do të sigurojnë që mbështetja për energjinë e ripërtëritshme do të jepet në mënyrë kosto-efikase dhe transparente.

Takimi i përmbyll me dorëzimin e Kryesimit të Komunitetit të Energjisë te Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Në emër të Kryesimit për 2018, Ministri i Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, tha: “Është nder dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi që të kryesojë Komunitetin e Energjisë.  Në vitin 2018, të gjithë sytë do të jenë mbi ne. Prioritetet tona kryesore do të jenë përmbyllja me sukses e procesit të ndryshimit e plotësimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe përshpejtimi i progresit për zbatim të plotë të Pakosë së Tretë të Energjisë, si dhe masave në kuadër të memorandumit të WB6 për bashkimin dhe balancimin e tregut të energjisë elektrike një-ditë-përpara (day-ahead). Përveç kësaj, në do të synojmë pajtimin për caqet e Komunitetit të Energjisë për klimë dhe energji për 2030″.