JTI, sinjal i besimit të investitorëve në tregun e Kosovës

Prishtinë, 31.01.2013 – Hapja e zyrës së, JTI (Japan Tobacco International), në Prishtinë është një ngjarje e rëndësishme për ekonominë e Kosovës, ngase industria e duhanit vitin e kaluar ka kontribuar në buxhetin e vendit  me mbi 100 milionë euro, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente, ministri Beqaj i bëri në ceremoninë e hapjes të zyrës së JTI-së, ku të pranishëm ishin drejtues të kësaj kompanie dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

“Ne jemi të interesuar që Republika e Kosovës të ketë sa më shumë investime të huaja. Vetë  hapja e një kompanie me reputacion të niveleve ndërkombëtare është një sinjal i mirë për shtetin tonë, për besimin që po tregon një kompani e nivelit ndërkombëtar”, tha ministri.

Kreu i MZHE-së me këtë rast ka siguruar investitorët se Kosova do të funksionon sipas ligjeve më të mira të mundshme të cilat mundësojnë që ambienti ekonomik të jetë sa më i favorshëm për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, duke shtuar se gjërat pozitive të cilat do të ndodhin në nivel të Bashkimit Evropian do të reflektohen pozitivisht dhe Kosova nuk do të hyjë në recesion sikurse që kanë hyrë shumë shtete të tjera.

“Pozicioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i qartë, funksionimi i ligjit në harmoni me rregullat e BE-së. Në asnjë rrethanë nuk do t’i japim përparësi asaj industrie e cila dëmton pjesën tjetër të shoqërisë. Për neve është i rëndësishëm shëndeti publik por njëkohësisht që të mos ketë evazion fiskal”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj ka falënderuar shtetin japonez që përmes ndërmarrjeve të tyre po përçojnë besimin në Qeverinë e Kosovës dhe në institucionet e Kosovës që janë duke bërë politika të mira.

Nga ana e tij, Cristian Cring, zëvendës president i JTI Adriatica tha se Hapja e zyrës së JTI në Kosovë përfaqëson një arritje të rëndësishme në rrugën saj. 

“Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i dyanshëm mes industrisë dhe qeverisë është me rëndësi kyçe për të krijuar një klimë tërheqëse biznesi. Ne shohim përpara me besim që ta rrisim këtë biznes në një mjedis të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm”, tha Cring. 

Ai tha se JTI është një anëtar i Grupit të Kompanive të Japan Tobacco dhe një lider ndërkombëtar i prodhimit të produkteve të duhanit.  JTI dhe shpërndarësi i saj punësojnë në Kosove 48 punonjës. Kompania është e pranishme në treg me markat Winston, Camel, Glamour, Monte Carlo dhe Ronson.

“Si një kompani me trashëgimi japoneze, ne besojmë sinqerisht se ky hap që kompania jonë po ndërmerr do të inkurajojë investimet e tjera të huaja, sidomos ato Japoneze që të hyjnë në këtë treg”, tha Cring.

JTI është anëtare e Grupit të Kompanive të Japan Tobacco, një lider botëror në prodhimin e produkteve të duhanit.