Jacobson rithekson mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë, 16.12.2014- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka pritur sot në takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit ekonomike në vend dhe prioritetet e MZHE-së.

Kreu i MZHE-së ka theksuar se zhvillimi i sektorit të energjisë si bazë për zhvillimin ekonomik do të jetë prioritet i punës së tij, ndërsa ka shtuar se do të çojë përpara projektet që ndodhen në proces të realizimit.

Ministri Stavileci me këtë rast ka falënderuar ambasadoren Jacobson për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë në vazhdimësi Kosovës, e veçanërisht në fushën e ekonomisë, i bindur se ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje.

Nga ana e saj, Ambasadorja Jacobson ka uruar Ministrin Stavileci për detyrën e re dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë e SHBA-ve për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa ka potencuar se pret që qeveria e re të adresojë çështjet ekonomike me prioritet.