Ismalji e Korte diskutojnë zhvillimet në sektorin e energjisë në Kosovë

Prishtinë, 30.10.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka pritur dje në takim pune z. Joost Korte, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, me fokus projektin e TC Kosova e Re dhe procesin e dekomisionimit të TC Kosova A.
Me këtë rast, Ministri Ismajli vlerësoi lartë përkrahjen që Komisioni Evropian i ka dhënë Kosovës prej vitesh në funksion të zhvillimit të mirëfilltë të sektorit të energjisë si dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Ministri Ismajli dhe z. Korte theksuan edhe një herë rëndësinë e instalimit të kapaciteteve të reja gjeneruese, TC Kosova e Re, me të cilën është e lidhur ngushtë mbyllja e TC  Kosova A.

Lidhur me këtë të fundit, ministri Ismajli ka siguruar z. Korte që grupet punuese të themeluara tanimë janë të funksionalizuara dhe kanë dhënë rekomandimet e para lidhur me subjektet me të cilat duhet filluar dekomisionimi.

Sipas kreut të MZHE-së, këto rekomandime më tutje do të jenë bazë e hartimit të projekteve drejt implementimit të tyre.

Nga ana e tij, Korte theksoi se Komisioni Evropian tanimë ka lansuar programimin e  Instrumentit të Para Anëtarësimit – IPA-2014, e cila është pjesë e Dokumentit Strategjik Kombëtar 2014-2020, në të cilin dokument energjia zë një vend të rëndësishëm dhe të duhur për asistencë.

Ministri Ismajli ka ritheksuar gatishmërinë e Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian dhe të zhvillojë sektorin e energjisë konform standardeve më të larta ndërkombëtare.

Ishte konkluzë e përbashkët se dekomisionimi i TC Kosova A do duhej të bëhej paralelisht me futjen në operim të gjeneratorëve të rinj të TC Kosova e Re.