Ismajli prezanton në SHBA orientimet ekonomike të Kosovës

Uashington, 30.09.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë gjatë qëndrimit në SHBA ka zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, investitorë dhe organizata amerikane që ofrojnë përkrahje financiare dhe ekspertizë për projekte të energjisë si dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.
Këto takime në kryeqytetin e SHBA-ve Uashington, ishin vetëm një nismë drejt prezantimit të vizionit të qartë të MZHE-së dhe qëllimeve drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik me theks në fushat ku Kosova ka përparësi komparative siç janë energjia me bazë linjiti, bujqësia, turizmi dimëror si dhe shfrytëzimi i potencialit human për shërbime të ndryshme intelektuale sidomos IT.

Me këtë rast, posaçërisht u diskutuan modalitetet e realizimit të projekteve të mëdha energjetike dhe të atyre që adresojnë çështjet e sigurisë së furnizimit të energjisë në vend duke e respektuar kriterin e çmimeve konkurruese ne një treg te hapur.

Takimi me përfaqësues të USAID, kryesuar nga z. Steven Burns, drejtor i Departamentit të Energjisë dhe Infrastrukturës, është fokusuar në projekte ekzistuese që kanë të bëjnë me furnizimin me energji si dhe investime në kapacitete gjeneruese, në mënyrë që të mundësohet zvogëlimi i varësisë nga importi. Diskutimi është zhvilluar më tutje edhe në kontekst të vazhdimit të bashkëpunimit me USAID, i cili ka shprehur gatishmërinë për mbështetje pa rezervë.

Nga ana e tij, kreu i MZHE-së ka prezantuar projektet, iniciativat dhe strategjitë nga të cilat varet zhvillimi ekonomik dhe ai i sektorit të energjisë. Ndër temat e diskutimit me USAID ishin edhe Strategjia e Energjisë,  ku nga aspekti i sektorit të energjisë është vene theks në sigurinë e furnizimit duke respektuar kriterin e çmimeve konkurruese në një treg të hapur.

Më tej, një vend të rëndësishëm ka zënë tema e efiçiencës së energjisë, si një segment i rëndësishëm i politikave të Kosovës. Ministrit Ismajli ka bërë të ditur se politika nxitëse e promovuese e EE do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik, kursimin e energjisë, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkaq, zyra e zhvillimit ekonomik të USAID ka prezantuar një studim të fizibilitetit rreth reformave strukturore makroekonomike të Kosovës, me ç’rast, përmes këtij studimi kanë dëshmuar dëshirën dhe interesimin e tyre të vazhdueshëm për të investuar në sektorë prioritar dhe të nevojshëm për Kosovën.

Forcimi i kapaciteteve të rregullatorëve të pavarur, synimin e Kosovës për një treg të përbashkët me Shqipërinë dhe çështja komplekse e HC të Zhurit,  kanë qenë çështje tjera të diskutuara në këtë kuadër.

Një takim i rëndësisë së veçantë u realizua edhe me zyrtarin e energjisë në Departamentin e Shtetit, z. Cekuto, me të cilin u zhvillua një bisede shumë miqësore mbi mundësitë që Kosova të zgjerojë bashkëpunimin me SHBA-e në nivel shtetëror në radhë të parë, si dhe me investitorë në fushën e energjisë. Në këtë takim, delagacioni i MZHE-së u shoqërua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, z. Akan Ismajli, dhe se bashku kështu u theksua bashkëpunimi ekonomik, energjetik dhe minerar si dhe u ofrua mbështetja e departamentit te Shtetit, për Republikën e Kosovës.

Një vizitë e interesit të veçantë konsiderohet edhe vizita në Hunton & Williams në pritje të Presidentit të kompanisë z. Steven Kubeck dhe bashkëpunëtorëve të tij si dhe vizita në Bankën Botërore, përkatësisht takimi zyrtar me specialistë të fushës së energjisë z. Ranjit Lamech dhe z. Jas Singh, me të cilët u shkëmbyen ide dhe u diskutuan mundësi të bashkëpunimit reciprok në fushën e energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme.

Të dy palët bashkëbiseduese shprehën admirimin e tyre dhe ndanë bindjen e përbashkët se ky takim i drejtpërdrejt është vetëm fazë inicuese e bashkëpunimit duke shprehur, në të njëjtën kohë, gatishmërinë e tyre për vazhdimin, koordinimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Në vazhdën e takimeve në kryeqytetin amerikan, u zhvillua edhe takimi me përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare Financiare, kryesuar nga z. Tomasz Telma dhe Gjergj Konda.