Ismajli: Kontributi social i bizneseve përmirëson imazhin e tyre
Prishtinë, 10.12.2013 – Përgjegjësia shoqërore e ndërmarrjeve (korporatave) është kontribut aktiv dhe vullnetar i sektorit privat me qëllim të përmirësimit të kushteve shoqërore-ekonomike dhe mjedisore. Çdo ndërmarrje pa dallim natyrën e punës dhe madhësinë e saj duhet të ketë përgjegjësi të përhershme shoqërore, jo vetëm ndaj pjesëtarëve të saj të ngushtë, por edhe rrethinës ku vepron, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Këto komente, kreu i MZHE-së i bëri në takimin e Rrjetit SCR – Kosovë, që u mbajt sot në Prishtinë, ku morën pjesë drejtues të këtij rrjeti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, përfaqësues të biznesit dhe përfaqësues të nismave të tilla nga rajoni.
Ministri Ismajli tha se për fat të mirë edhe në Kosove shumë ndërmarrje solide nuk bëjnë përjashtim në këtë drejtim. Ne veçanti sektori bankar dhe ai prodhues që nga ditët e para të themelimit i kanë kuptuar përgjegjësinë e tyre kundrejt shoqërisë dhe ambientit.
Një veprim i tillë fisnik dhe shoqëror i ndërmarrjeve ndihmon ato në ndërtimin dhe forcimin e besueshmërisë së tyre, rrit emrin dhe imazhin e saj, si dhe kontribuon fuqishëm në përfitimin afatgjatë.
Robert Wright – Kryesues i Bordit të Rrjetit CSR – Kosovë, tha se ky rrjet është krijuar në vitin 2011 dhe ka mbështetës Raifaisen, Sharrcem, Kostt, Meridian Group, Fondin Amerikan të Edukimit, etj, ndërsa në vitin 2012 është anëtarësuar në Rrjetin Evropian CSR.
Ai tha se CSR -Kosovë ka fituar një momentum në përcaktimin e bizneseve, mirëpo mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe duhet një mbështetje më e madhe.
Ndërsa, Goran Lazarevski – Anëtar i trupit koordinues të CSR Maqedonia, tha se nuk është punë e Qeverisë që të aprovojë ligj për CSR-në, por mund të përkrah bizneset dhe rrjetin e CSR-së. Ai ka prezantuar praktikat rajonale të nismave të tilla duke theksuar se ato përveç benefiteve për shoqërinë krijojnë benefite edhe për biznesin ngase promovojnë atë.
Arian Zeka – Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se fakti se 18 prej anëtarëve të CSR – Kosovë janë anëtarë të kësaj Ode tregon kontributin e saj, ndërsa shtoi se duhet të bëhet edhe më tepër që vlerat e këtij rrjeti të promovohet edhe të anëtarët tjerë me qëllim të anëtarësimit të tyre në këtë nismë.
Ndryshe, takimi i kësaj nisme është bërë me organizimin e Kosovo CSR Network, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.