Ismajli kërkon mobilizim nga KEK dhe Termokos për finalizimin e Kogjenerimit

Prishtinë, 17.11.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Termocentralin Kosova B, respektivisht ka inspektuar punimet finale në projektin e Kogjenerimit, që do të lidh këtë Bllokun B1 me “Termokos” Sh.A, që ka për qëllim përmirësimin e furnizimit me ngrohje për qytetin e Prishtinës.

Gjatë inspektimit të punimeve, Ministri Ismaji u shoqërua nga drejtori i TC Kosova B, Luigj Imeri, Kryeshefi i Termokos, Arsim Janova dhe përfaqësues të kompanisë implementuese të projektit IMTECH, me ç’rast për së afërmi u njoftua me ecurinë e punëve për përfundimin me sukses të këtij projekti.

Me këtë rast, Ministri Ismajli ka kërkuar mobilizim e plotë nga akterët e përfshirë në implementimin e këtij projekti, që të respektohen afatet e parapara për finalizimin e tij, në mënyrë që vonesat të mos interferojnë aspektet tjera të shërbimeve të qytetarëve.

Nga ana e tyre, drejtuesit e KEK, Termokos dhe përfaqësuesit e IMTECH kanë siguruar ministrin Ismajli se javët e fundit ka pasur një dinamikë të shtuar të punimeve dhe sipas planifikimit janë përfunduar me sukses punimet instaluese, derisa pas testimit të sistemit, 26 nëntori 2014 pritet të jetë data kur ky projekt nis funksionin e tij.

Ndryshe, realizimi i Projektit të Kogjenerimit u mundësua me fondet e përbashkëta të Komisionit Evropian, Qeverisë Gjermane nëpërmes KFW, Qeverisë Suedeze, Qeverisë së Luksemburgut dhe Komunës së Prishtinës.