Ismajli: Furnizimi me ujë po stabilizohet, ska vend për panik
Prishtinë, 27.03.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka siguruar qytetarët e Prishtinës se nuk ka vend për panik se kryeqyteti do të mbetet pa ujë pasi momentalisht po furnizohet nga Ujmani, ndërsa po ruhet niveli i ujit në Liqenin e Badovcit.
Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri gjatë vizitës në Fabrikën për përpunimin e ujit në Badovc, ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave Besim Beqaj, zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Kiesler, përfaqësuesja e Ministrisë Gjermane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, Johanna Brüggemann, shefi i operacioneve i BE-së në Prishtinë, Christof Stock, përfaqësues të KfW-së, KRU “Prishtina” etj. Me këtë rast u lansua faza e dytë të investimeve në kompaninë e Ujësjellësit të Prishtinës.
“Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së na ka mbështetur jo vetëm sektorin e ujit por edhe të energjisë. Ajo që sot pamë që do të përfundojë së shpejti është një kontribut për qytetarët e Prishtinës, mirëpo ka projekte anembanë Kosovës”, tha Ismajli.
Ai tha se Kosova ka kaluar nga faza emergjente në atë zhvillimore që është edhe sukses i ndërmarrjeve që kanë punuar në zvogëlimin e humbjeve, ngritjen e inkasimit dhe projektet e ardhshme do të jenë qind për qind me vetëfinancim.
Ministri i Financave Besim Beqaj, ka falënderuar Qeverinë Gjermane dhe Komisionin Evropian për ndihmën e dhënë financiare dhe tha se fabrika për përpunimin e ujërave është projekt mjaft i rëndësishëm për Kosovën. Ai po ashtu tha se faza e tretë dhe finale e projektit do të nisë vitin e ardhshëm.
Ndryshe zv.Ambasadori i Gjermanisë, Matthias Kiesler duke folur për rëndësinë e ujit, ka apeluar te qytetarëve që ujin ta përdorin me shumë kujdes dhe njëkohësisht të mbrojnë lumenjtë dhe liqenet.
Ndërsa drejtori i ujësjellësit KRU “Prishtina” Gjelosh Vataj ka mirëpritur ndihmën e shtetit gjerman, duke thënë se me përfundimin e fabrikës do të zgjidhet problemi i ujit për kryeqytetin.
Ndryshe, Qeveria e Gjermanisë deri më tani e ka ndihmuar Kosovën me rreth 460 milionë euro.

