Ismajli: Anëtarësimi në GeoSurvey orienton investimet në këtë sektor

Prishtinë, 04.11.2014- Me angazhim e madh të ekspertëve të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës që vepron në kuadër të MZHE-së, përfundimisht nga 20 tetori 2014, Kosova është anëtare e asociuar në Shërbimin Gjeologjik Evropian – Euro GeoSurvey, që vjen mbi bazën e aplikimit i cili është dorëzuar në qershor të këtij viti, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri gjatë një konference për media ku prezantoi angazhimin e Ministrisë, respektivisht SHGJK-së për tu anëtarësuar në këtë mekanizëm Evropian, ku i pranishëm ishte edhe Kryeshefi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, Fidaim Sahiti.

Ministri Ismajli tha se interesi i anëtarësimit të Kosovës në Euro GeoSurvey  qëndron në faktin se shumica e investimeve që shkojnë në drejtim të gjeologjisë të dhënat dhe investimet kanalizohen nëpërmjet këtij shërbimi sa i përket Evropës.

“Është një hap i anëtarësimit të Kosovës organizmat ndërkombëtar që vjen si produkt i angazhimit dhe punës se ekspertëve, mbi bazën e plotësimit të kushteve. Në prill të këtij viti është aprovuar ligji për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe janë përmbushur kushtet në aspektin e potencialit njerëzor”, tha Ismajli.

I pari i MZHE-së me këtë rast ka falënderuar Shërbimin Gjeologjik të Kroacisë për një mbështetje e cila ka rezultuar me këtë sukses, derisa theksoi bashkëpunimin e ngushtë edhe me Shërbimin Gjeologjik të Shqipërisë me të cilët po realizohen projektet  ndërkufitare për zonat të cilat janë me interes të posaçëm gjeologjik, si dhe Shërbimin Gjeologjik Austriak.

Sipas tij, Kosova tash e tutje në aspektin  gjeologjik nuk do të jetë një vrimë e zezë në Evropë, por do të jetë në hartën e plotë të Evropës, kështu që edhe investitorët dhe donacionet mund të vijnë në Kosovë nëpërmjet kanaleve shumë normale dhe të mbrojtura.

“Gjithashtu kuadrot tona në këtë drejtim do të kenë qasje të barabartë në të gjitha të arriturat shkencore në këtë drejtim, do të shfrytëzohen, do të shkëmbehen këto të dhëna në të mirën e këtyre pasurive natyrore që Kosova i ka dhe do të di t’i shfrytëzojë në mënyrë racionale”, tha Ismajli.

Ndryshe, në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Euro GeoSurvey me datë 20 tetor 2014, pro pranimit të Kosovës votuan 18 vende, 3 ishin kundër dhe 2 abstenuan.