Investimi në edukim i rëndësisë së posaçme

Prishtinë , 02.11.2012  – Investimi  në edukim është çështje me rëndësi të posaçme për vendin, ndërsa inovacioni  është proces i krijimit të bizneseve të reja me segmente të reja të produkteve dhe aplikim të teknologjive të reja ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj.

Këto vlerësime Beqaj  i bëri sot në Konferencën Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji  dhe Inovacion organizuar nga  Universiteti për Biznes dhe Teknologji në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës dhe atë të Tiranës me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ministri Beqaj tha se njohuritë e studentëve nga Kosova krahasuar me studentët e shteteve tjera përfshirë ato evropiane nuk kanë ndonjë dallim pothuajse janë të njëjta ngase i kanë informatat e njëjta dhe është për tu krenuar me ta.
“Qeveria e Republikës të Kosovës është e zotuar fuqishëm që rruga më e shpejtë deri të rritja ekonomike është krijimi i një mjedisi të favorshëm për biznes dhe investimeve të huaja direkte”, tha ai.

Kreu i MZHE-së tha se biznesi është gjeneratori kryesor i zhvillimeve në vend. “Evidenca empirike dhe praktike nga vendet e ndryshme, sidomos ekonomitë e transformuara në ekonomi të tregut, tregon që ekziston një korrelacion jashtëzakonisht i qëndrueshëm dhe pozitiv në mes të bizneseve të reja, inovacionit dhe rritjes ekonomike”, tha Beqaj.

Nga ana tjetër presidenti i UBT-së Edmond Hajrizi  tha se shekulli  21 është duke nxitur ndryshime  në peisazhin e arsimit të lartë me nisjen e teknologjisë së përparuar, dhe konvergjenca mes akademike dhe industrinë. “ Nëpërmjet kësaj konference, do të përpiqemi për të bërë një marrëdhënie të ngushtë me të gjithë ju, dhe për të ruajtur reputacionin tonë për angazhimet në arsimin e lartë dhe kërkimin si gjithmonë”, tha Hajrizi.

Ndërsa Albert Qani rektor i Unversitetit të Vlorës  është shprehur se konferenca e përbashkët  për Biznes , Teknologji dhe Inovacion ëshët  shembull i shkëlqyer se si duhet projektuar ky bashkëpunim ndër universitar. “Kemi nevojë të ngutshme për  zhvillim dhe këtë do ta bëjmë universiteti Ismajl Qemajli i Vlorës ndër vite  ka hyrë në një proces modernizimi të plotë strukturor me rezultate të matshme”, ka thënë rektori Qani.

Ndryshe,  në konferencë  po marrin pjesë 160 pjesëmarrës akademikë dhe ekspertë të fushave përkatëse.