Interkoneksioni 400 kV Kosovë-Shqipëri, projekt me rëndësi rajonale

Prishtinë, 10.09.2015 – Linja interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri është një ndër projektet më të rëndësishme të fushës së energjisë pasi benefitet e këtij projekti i tejkalojnë kufijtë e Kosovës, ka deklaruar sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, gjatë inspektimeve të punimeve në këtë projekt.

Të pranishëm me këtë rast ishin edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, anëtarja e Bordit të KfW Ingrid Hengster, drejtues të KOSTT dhe kompanive që po kryejnë punimet në projekt.

“E dimë që procesi i Berlinit është i konceptuar në dy shtylla; në atë të infrastrukturës dhe energjisë, ku Kosova merr pjesë me dy projekte, njëri prej tyre është kjo linjë e transmisionit Kosovë – Shqipëri, e cila i sjell shumë benefite jo vetëm për dy shtetet tona, por edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal”, tha Stavileci.

Kreu i MZHE-së e quajti lajm të mirë faktin që projekti në anën e Kosovës do të përfundojë brenda dy  muajsh, ndërsa nga ana e Shqipërisë punimet pritet të kryhen gjatë vitit të ardhshëm, me çka fillimi i 2017 do të jetë një etapë e re në kuadër të bashkëpunimit energjetik Kosovë – Shqipëri.

Nga ana e saj, Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se studimet e  fundit kanë treguar se energjia paraqet një nga pengesat kryesore për investime direkte të huaja në Kosovë. Andaj,  Gjermania që nga fillimi i bashkëpunimit me Kosovën është fokusuar në sektorin e energjisë dhe deri tani ka mbështetur këtë sektor me 150 milionë euro.

Ingrid Hengster, Anëtare e Bordi i KfW theksoi se Interkoneksioni është investimi më i madh i bërë në Kosovë deri më tani, të cilin Gjermania e ka mbështetur me hua përmes KfW dhe me të drejtë quhet edhe autostrada energjetike Kosovë – Shqipëri. Sipas saj, ky projekt do të nxisë integrimin e sistemit energjetik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe kjo do të qojë në rrjetin energjetik të  Evropës Juglindore dhe pastaj në rrjetin më të madh evropian.

Ndërkaq, Naim Bejtullahu Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT, në terma teknik ka njoftuar të pranishmit me të arriturat në realizimin e këtij projekti. Ai tha se deri tani është realizuar rreth 80% e projektit, ku përfshihet instalimi i 50 km përçues dhe fundi i nëntorit të këtij viti do të shënojë përfundimin e projektit.

Ndryshe me këtë rast KOSTT dhe Siemens ka nënshkruar kontratën për LOT 4 për zhvillimin e infrastrukturës  së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.