Interesi publik fokus i MZHE-së

Prishtinë, 27.01.2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se ekziston një set i çështjeve të cilat e determinojnë performancën e Ndërmarrjeve Publike, aty hyn mënyra e funksionimit të strukturave drejtuese, bordeve dhe kryeshefave, qëndrueshmëria financiare në cilësinë e shërbimeve dhe përgjegjësia sociale korporative, ku duhet të gjendet baraspesha.

Këto komente Stavileci i bëri gjatë një prezantimi të Institutit për Studime të Avancuara GAP me temë “Ndërmarrjet Publike në Kosovë – Ndikimi i Ambientit të Biznesit dhe Menaxhimit në Performancë”, që u mbajt sot në Prishtinë.

Sipas tij, duhet të ekzistojë një dokument strategjik me të cilin caktohen kriteret se kur duhet të themelohet një ndërmarrje publike, qoftë në nivelin qendror, qoftë në atë lokal.

Numri një i MZHE-së, tha se janë trashëguar problemet duke mos gjetur mënyra të shpejta për t’i ndryshuar ato dhe për ta ruajtur pronësinë, duke shtuar se diskutimi duhet të jetë në mes të pronësisë dhe llojit të shërbimeve por duhet të jetë brenda llojit të veprimtarisë.

“Sa i takon shërbimeve atëherë këtu duhet ta gjejmë rrugën dhe momentin se si t’i klasifikojmë ato, pra të gjejmë kritere me të cilat ne do ta dimë saktë se çka është në të mirën e publikut, në interes të qytetarëve dhe konsumatorëve”, tha Stavileci.

Nga ana tjetër, Ambasadori britanik, Ian Cliff  ka folur për performancën e Ndërmarrjeve Publike, duke shtuar se ajo duhet të përmirësohet në funksion të zhvillimit ekonomik.

Ndërsa, Berat Thaçi nga Instituti GAP tha se  të gjeturat tregojnë se ndërmarrjet funksionojnë në një ambient shumë të vështirë biznesi veçanërisht për shkak të mosfunksionimit të gjyqësorit.

Kurse, kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se duhet të ruhet një balans ndërmjet menaxhmentit të ndërmarrjeve publike, punëtorëve dhe akterëve tjerë.