Inaugurohet nënstacioni i ri i KOSTT me teknologjinë më të fundit (GIS)

Prishtinë, 20.12.2024- Është inauguruar Nënstacioni i ri i KOSTT 110/35/10(20)kV, me teknologjinë më të fundit (GIS) i cili do të përmirësojë furnizimin me energji për 15,000 banorë dhe biznese të Fushë Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se inaugurimi i energjizimit të nënstacionit të ri të KOSST-it 110/35/10(20)kV, në Fushë Kosovë është një hap tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në  Republikën e Kosovës.

Sipas ministres Rizvanolli, ky nënstacioni pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike tek qytetarët e komunës së Fushë Kosovës, duke siguruar më shumë stabilitet për konsumatorët dhe duke ndihmuar në plotësimin e nevojave në rritje të rrjetit energjetik të vendit.

“Ky projekt është një dëshmi e angazhimit për zhvillimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme në sektorin e energjisë”, tha ajo.

Projekti i energjizimit të nënstacionit të NS 110/10 në Fushë Kosovë është ndërtuar me teknologji të tensionit të lartë, ajo me izolim me gaz (Gas Insulated Sëitchgear – GIS), e cila ofron siguri maksimale në operim dhe minimizon ndikimin në mjedis.

Projekti së bashku me investimin në linjë arrin vlerën 6,441,703 milion dhe shërben në rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të rrjetit energjetik në Kosovë.

Ministria e Ekonomisë, Qeveria e Kosovës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë janë ndër institucionet që kanë kontribuar në realizimin e këtij  projekti.