Inaugurohen masat e efiçiencës së energjisë në shkollat “Mati Logoreci” dhe “Skënder Kastrati”
Prishtinë, 14.03.2024 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku ka marr pjesë në inaugurimin e efiçiencës së energjisë në dy shkolla, në Shkollën e Mesme të Ulët “Mati Logoreci” në Prizren dhe në Shkollën e Mesme të Ulët “Skënder Kastrati” në fshatin Gexhe të Rahovecit.
Investimet në shkolla janë bërë në kuadër të projekteve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë ceremonive inauguruese, Zëvendësministri Mjeku foli për rëndësinë që kanë këto investime në përmirësimin e kushteve mësimore në shkolla për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke pohuar se tash nxënësit do të kenë dimër më të ngrohtë e verë më të freskët, ndërsa do të kursehet edhe në faturat e energjisë elektrike.
Ai po ashtu theksoi se efiçienca e energjisë është prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e që ndihmon tranzicionin energjetik, në ruajtjen e burimeve tona dhe po ashtu ndihmon që më u shërbyer më mirë qytetarëve.
Vlera e investimit në Shkollën “Mati Logoreci” është 226,000 euro, ku është bërë izolimi i jashtëm, janë ndërruar dyert dhe dritaret, është ndërruar kulmi, janë zëvendësuar pajisjet për ngrohje dhe janë zëvendësuat ndriçuesit e vjetër me ndriçues Led efiçient.
Ndërsa në Shkollën “Skënder Kastrati” janë investuar 126,000 euro, ku është bërë izolimi i jashtëm i objektit të shkollës dhe janë ndërruar dritaret e dyert.
Përgjatë dy viteve FKEE ka realizuar rreth 90 projekte në objekte të ndryshme publike në vlerë prej rreth 12 milionë euro, investime këto që janë bërë me përkrahjen e Bashkimin Evropian, Bankën Botërore dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.
Në inaugurimin e masave të efiçiencës së energjisë të pranishëm ishin Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, drejtori ekzekutiv i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Anna Carin Platon, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Lindita Lepaja dhe përfaqësues të komunave.