Inagurohet Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor

Prishtinë, 19.09.2022 – Në Shipol të Mitrovicës me një ceremoni inaguruese është përuruar Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor të Kosovës – Sistemi SNMS nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla dhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor të Kosovës (SNMS) mundëson monitorimin e brezave frekuencorë të alokuara nga ana e ARKEP e agjencitë tjera për institucione që kanë të bëjnë me mbrojtjen e sigurisë kombëtare, mirëmbajtjen e rendit publik, shërbimet publike emergjente, mbrojtjen e kufijve shtetërorë, aviacionin civil, sigurinë hekurudhore, mediat audio-vizuele, ndër të tjera.

Në fjalën e tij hyrëse Kryeministri Kurti falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen dhe potencoi rëndësinë e monitorimit të brezit frekuencor. “Qeveria e  Kosovës që nga fillimi i mandatit të saj e ka përkrahur projektin KODE dhe rrjedhimisht edhe projektin e SNMS-së. Ky projekt është shpallur me qëllim të mbrojtjes nacionale me vendim të Qeverisë së Kosovës me datën 13.04.2021. Zhvillimet në dixhitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë së rrjetave dhe sistemeve prandaj Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike si nga aspekti i politik bërjes poashtu ndërmarrjes së masave konkrete që i adresojnë rreziqet e mundshme”, tha Kurti

Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli për projektin SNMSF tha se edhe Kosova do t’i bashkohet vendeve Evropiane të cilat kanë sistem të monitorimit të frekuencave i cili është shpallur projekt me qëllim të mbrojtjes Nacionale me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të parë gjatë këtij mandati.

“Ministria e Ekonomisë është e përkushtuar që brezi frekuencor të jetë i rregulluar por edhe sovran nga ndikimet e jashtme në Kosovë. Sistemi per monitorimin e brezit frekuencor që po inaugurojmë sot do të mundësojë që si çdo pasuri tjetër e Republikës së Kosovës  edhe brezi frekuencor  jo vetëm të shfrytëzohet por edhe të mbrohet nga shteti”, tha  Rizvanolli.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës tha se Kosova sot po përballet me sfida dhe rreziqe në sektorin e sigurisë prandaj kujdesi për sigurinë publike mbetet një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdoj të udhëhiqet nga parimi i kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial ngase ky parim është i pacenueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me kushtetutë.

Nga ana e saj përfaqësuesja e Bankës Botërore, Nicole Klingen tha se Kosova ka bërë hapa progresiv sa i përket dixhitalizimit dhe ligjeve që ndërlidhen me këtë sektor andaj përurimi i këtij sistemi është një hap më përpara drejt dixhitalizimit të ekonomisë së vendit.

SNMSF është pjesë e Projektit KODE – Ekonomia Digjitale i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë dhe i financuar nga Kredia e Bankës Botërore.