Hekurudhat janë tregues të zhvillimit ekonomik

Fushë Kosovë, 21.11.2014 – Do të uroja që Hekurudhat e Kosovës të mos përdoren vetëm për transportin e lëndës së parë nga Kosova, por të përdoren për transportin e udhëtarëve dhe  produkteve të gatshme për vende tjera, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente Ismajli i bëri me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infrastrukturës  Hekurudhore, e cila u shënua me një ceremoni rasti që u organizua në “InfraKos”, ku merrnin pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, deputetë dhe drejtues të kompanive publike, me ç’rast u përurua edhe makineria për riparimin hekurudhave.

Kreu i MZHE-së tha se për të ardhmen e Hekurudhave të Kosovës duhet të punojmë shumë në mënyrë që shërbimin e tyre të gëzojnë qytetarët e vendit dhe më gjerë ngase hekurudhat lidhin vende dhe janë nxitës të zhvillimit ekonomik.

“Në gjithë botën niveli i zhvillimit të hekurudhave është, përdoret si tregues i zhvillimit ekonomik të një vendi përveç që hekurudhor dhe zhvillimi i tyre ish dashtë me ia parapri një ditë para zhvillimit të vërtetë industrial. Pra, ai është tregues i vërtetë i zhvillimit industrial të një vendi dhe duhet patjetër që të jetë edhe paraprijës i zhvillimit të atij vendi sepse ajo mundësinë takimin e njerëzve dhe mallrave në botë dhe ne këtë do ta bëjmë. Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, edhe Qeveria në përgjithësi nuk do të ngecim në zënien e hapit që kjo periudhë të shfrytëzohet për zhvillimin e hekurudhave”, ka thënë Ismajli.

Ai tha se edhe nga konferenca e Berlinit një nga elementet kryesore ishte zhvillimi i infrastrukturës fizike, në këtë kuadër të zhvillimi i hekurudhave siç është renovimi i linjës nga Shkupi deri në Serbi që lidh veriun dhe jugun e Kosovës, pastaj linjën e re hekurudhore që lidh Kosovën me portin e Durrësit që nënkupton që ne do të kemi lidhje hekurudhore me dy porte të rëndësishme që nëpërmjet tyre ngërthehen edhe elemente tjera zhvillimore të Kosovës.

Ministri Ismajli tha se potencoi vitin 1874 si vit me rëndësi, ngase Kosova ka 150 vjet traditë në hekurudha dhe vendi ka pasur shansin që nëpërmjet tyre të ketë një nivel të zhvillimit më të madh, por nuk është arritur, andaj le të jetë ky vit i mbarë drejt këtij qëllimi.

Nga ana e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i “InfraKos” Sh.A, Agron Thaçi paraqiti të arriturat e Hekurudhave të Kosovës dhe planet e mëtejme për periudhën afatmesme 2014-2020, respektivisht rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik.