Hapen aplikacionet për fazën e kualifikimit për Ankandin e parë të energjisë së erës me kapacitet deri në 100 MW

Prishtinë, 20.02.2025 – Ministria e Ekonomisë (ME) ka bërë hapjen publike të aplikimeve të dorëzuara nëbazë të Kërkesës për Kualifikim (KpK) për procesin e ofertimit konkurrues për Projektin e Erës me kapacitet të synuar mes 50 dhe 100 MW, duke përfituar nga Skema Mbështetëse.

Kompanitë dhe konzorciumet që kanë aplikuar janë:

– “Notus Energy” dhe “Stublla Energy” nga Gjermania dhe Kosova

– “Akuo Energy” nga Franca dhe

– Konzorciumi “Gurus” nga Turqia.

Aplikimi për të plotësuar kërkesat për kualifikim nga ofertuesit e mundshëm është mbyllur më 20.02.2025 në orën 12:00, ku janë pranuar 3 oferta. Oferta e 4-të nga Konzorciumi “One Era” nga Kosova, pritet të vlerësohet për arsye se është dorëzuar pas afatit të vendosur.

Komisioni i hapjes së aplikimeve, do të vendosë në vijim sipas kritereve përkatëse të kërkesës për kualifikim.

Pas hapjes së aplikacioneve, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kanë siguruar një garë të drejtë dhe transparente.

“Përvoja nga ankandi i parë solar prej 100 MW na ka mësuar se vetëm kur ofrojmë një mundësi për një garë fer dhe transparente për sektorin privat, jo vetëm që ngjallim interesim nga kompani serioze dhe prestigjiozë botërore, por edhe sigurojmë çmime të favorshme për qytetarët. Tashmë kemi plotësuar edhe kornizën tonë ligjore me miratimin e Ligjit për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, mbi normat e të cilit bazohet ky ankand. Deri në fund të realizimin të këtij projekti zotohemi përsëri të ndjekim procedura të larta të transparencës dhe konkurrencës”, përfundoi ajo.

Gjatë javëve në vijim, Komisioni Vlerësues i përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Operatorit të Transmisionit – KOSTT, do të vlerësojë ofertat kundrejt kërkesave minimale financiare, ligjore dhe teknike, siç janë përcaktuar në Dosjen e Ankandit.

Ndërsa si fazë e dytë e aplikimit është Kërkesa për Propozime, e cila fillon gjatë muajit mars të këtij viti, ku kompanitë e kualifikuara do të kenë mundësinë të ofertojnë me propozimet e tyre teknike dhe financiare për ndërtimin e impiantit të erës me kapacitet të synuar deri në 100 MW.

Ankandi i parë i erës, pas ankandit të parë solar, do të plotësojë edhe më shumë miksin energjetik me burime të ripërtërishme.