Goldstein dhe Baker informohen për Konferencën e Donatorëve për Energjinë

Prishtinë, 13.05.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot në takime të ndara Ellen Goldstein – Drejtoreshë e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, e cila shoqërohej nga  menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovës – Jan-Peter Olters dhe Jeffrey Baker Drejtor i Zyrës për Evropë dhe Euro-Azi në Thesarin e SHBA-së, me të cilët ka diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike në vend, me theks të veçantë përgatitjet për “Konferenca e Donatorëve për Energji të Qëndrueshme për Kosovën”, që do të mbahet nesër në Prishtinë.

Ministri Beqaj me këtë rast ka falënderuar drejtoreshën Ellen Goldstein për mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë Konferencës së Donatorëve për Energji dhe në përgjithësi sektorit të energjisë në Kosovë.

Beqaj ka nënvizuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të çuar më tej projektet energjetike, zhvillimin e Burimeve të Ripërtritshme të Energjisë dhe Efiçiencën e Energjisë që qëllim që Kosova të ketë energji të qëndrueshme, konform standardeve ndërkombëtare dhe kosto të përballueshme për qytetarët, për çka ka marrë mbështetjen e Goldstein.

Ndërkaq, në takim me Jeffrey Baker drejtor i Zyrës pëe Evropë dhe Euro- Azi në Thesarin e SHBA-së, kreu i MZHE-së ka informuar atë për përgatitjet që janë bërë për Konferencën e Donatorëve, duke nënvizuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat.

Nga ana e tij, Baker ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke vlerësuar Konferencën për Energji si një mundësi të mirë për të prezantuar resurset energjetike të Kosovës dhe mundësitë e investimeve.

Ndryshe takimet e Ministrit Beqaj me Goldstein dhe Baker zhvillohen në vigjilje të Konferencës së Donatorëve për Energjinë,  në të cilët këta të fundit janë të ftuar si  pjesëmarrës për të dhënë kontributin e tyre, si drejtues të institucioneve që përfaqësojnë.