Gjermania rithekson përkrahjen për projektet zhvillimore të Kosovës

Prishtinë, 29.01.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik,  Fadil Ismajli ka pritur sot Hans Ulrich Sudbeck, Drejtor i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë i  shoqëruar nga Ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Bloomayer.

Në këtë takim ministri Ismajli ka informuar z. Sudbeck për objektivat e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ekonomia e vendit përfshirë këtu projekte të veçanta me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit, si e ardhmja e PTK-së, Projektit të TC “Kosova e Re” etj.

Nga ana e tij, Sudbeck ka shprehur gatishmërinë e tij për të përkrahur projektet të cilat avancojnë jetën dhe rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës. Mundësitë e angazhimit të kompanive gjermane në Kosovë, kapitalit dhe ekspertizës së tyre kanë qenë po ashtu pjesë e bisedës.

Gjithashtu, Ministri Ismajli ka falënderuar z. Sudbeck dhe Ambasadorin Bloomayer për përkushtimin që shteti gjerman ka treguar në të kaluarën dhe tani po tregon karshi Kosovës.