Gjermania partner strategjik i zhvillimit të Kosovës

Prishtinë, 12.11.2014- Bashkëpunimi Kosovë-Gjermani gjatë këtyre 15 viteve ka rezultuar i frytshëm, kështu u vlerësua gjatë takimit që Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka zhvilluar sot me Kryetarin e Odave Zejtare të Gjermanisë, njëherit këshilltar i Kancelares Angela Merkel, Otto Kentzler dhe Kryetarin e Odës se Zejtarëve të  Dortmundit, Wilhelm Hicking, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Me këtë rast të dyja palët theksuan vullnetin për vazhdimin e ndërtimit të urave që do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin ekonomik, për çka drejtuesit e Odave Ekonomike Gjermane të lartpërmendura, nënvizuan faktin se mbështetja dhe angazhimi profesional ka rezultuar reciprok, andaj edhe janë realizuar projektet konkrete.

Ministri Ismajli ka falënderuar Republikën Federale të Gjermanisë për rolin dhe rëndësinë që ka pasur në zhvillimet në Kosovë, duke përmendur mbështetjen e saj projektet konkrete siç është  linja transmetuese 400 kV – Kosovë-Shqipëri e financuar nga KfW, e projektet tjera zhvillimore, për të shtuar se bashkëpunimi me Gjermaninë do të avancohet më tej.

Kreu i MZHE-së, ka ritheksuar nevojën e vendit për investime në fushat si: energjia, bujqësia dhe turizmi, ndërsa një rëndësi të posaçme kanë projektet konkrete në zhvillimin e BRE-ve dhe rritjen e Eficiencës së Energjisë.

Sipas Ministrit Ismajli, mbi të gjitha fokus kryesor duhet të jetë investimi në burimet njerëzore, mbështetur në trajnimet profesionale si në Kosovë ashtu edhe në Gjermani, me çka krijohet mundësia e krijimit të një kuadri të specializuar, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe njohurive profesionale.

Më pas Ministri Ismajli ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për fazën e dytë të Akademisë së Ndërmarrësisë mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odave Zejtare të Gjermanisë, që u nënshkrua nga krerët e tyre Gërxhaliu e Kentzler.

Kryetari i OZGJ-së, Otto Kentzler tha pas nënshkrimit të Memorandumit se janë të interesuar që edhe aftësimi profesional të ketë kujdes të veçantë dhe për këtë disa kualifikime të posaçme tashmë i kanë zhvilluar së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, si një mundësi e njohjes me profesionin e zejtarisë dhe me profesione të tjera drejt së ardhmes evropiane.

Ministri Ismajli nga ana e tij, ka përgëzuar OEK-un për punën që po bën duke vlerësuar atë si një mesazh që Kosova në rend të parë është e hapur për ide të reja dhe ka çfarë të ofrojë, që në zhargonin ekonomik quhet përparësi komparative kryesore, e që janë burimet njerëzore; popullata e re me energji dhe një nivel të lakmueshëm të edukimit.

Ndërsa, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka premtuar se institucioni që drejton do të jetë edhe më aktiv në të ardhmen që bashkërisht t’i implementojë synimet për edukim  zhvillim ekonomik dhe avancim të partneritetit në mes të komunitetit të biznesit kosovar dhe atij gjerman. Sipas tij, rrugëtimi i Kosovës drejt Brukselit në aspektin ekonomik duhet medoemos të kalojë përmes Berlinit.

Ndryshe në kuadër të Projektit Akademisë së Ndërmarrësisë, aktualisht 25 të rinj kosovarë janë në kualifikim në Dortmund, projekt i cili pritet të kalojë në fazën e dytë.