Gjermania fuqishëm përkrah Kosovën

Prishtinë, 25 gusht 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj priti sot në takim njohës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Ernst Reichel i cili me këtë rast përsëriti përcaktimin e vendit të tij për të përkrahur Kosovën në të gjitha fushat.

Fillimisht ministri Beqaj theksoi se Kosova i është shumë mirënjohëse Gjermanisë për rolin dhe ndihmën e saj në zhvillimin e proceseve demokratike në vend dhe në lëmin e zhvillimit ekonomik.

Me këta rast ai theksoi se në Kosovë është mirëpritur qasja shumë e rëndësishme e shtetit gjerman lidhur me proceset e mëtejme në Kosovë dhe posaçërisht deklarata e kancelares Angela Merkel lidhur me mënyrën e zgjidhjes së problemeve të cilat në marrëdhënie me Kosovën i shkakton Serbia.

Ministri Beqaj gjithashtu e informoi ambasadorin  Reichel  lidhur me prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka përcaktuar edhe afate për realizimin e tyre.

Ambasadori Reichel përkrahu orientimet zhvillimore të Kosovës dhe theksoi se Gjermania do të përkrah vendin tonë në zhvillimin e proceseve demokratike, forcimin e sundimit te ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se do të angazhohet veçanërisht në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës.