Furnizuesit e licencuar për energji elektrike të ofertojnë dhe të japin informata e shpjegime për bizneset
Prishtinë, 23.05.2025- Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka organizuar takim me furnizuesit e licencuar për furnizim me energji elektrike në Kosovë, për të diskutuar rreth sfidave apo pengesave që mund të kenë për pjesëmarrje në treg dhe për procesin e ofertimit për kompanitë që dalin në treg të lirë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli që mori pjesë në takim tha se kanë inkurajuar furnizuesit që të ofertojnë dhe të japin informata dhe shpjegime për bizneset lidhur me kontratat e ndryshme.
“Inkurajuam furnizuesit qe të ofertojnë dhe të japin informata dhe shpjegime për bizneset lidhur me kontratat e ndryshme, dhe për komponentët e kostos në treg të lirë. Kjo me qëllim që të këtë sa më shumë konkurrencë në treg dhe konsumatorët të jenë sa më të informuar për të bërë zgjedhjen me kushtet më të përshtatshme për ta e me çmimin më të lirë”, tha ministrja.
Ndërsa, Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të ZRRE-së, theksoi rëndësinë e transparencës dhe informimit të saktë të konsumatorëve gjatë këtij tranzicioni. Ai nënvizoi se roli i rregullatorit do të mbetet kyç në monitorimin dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues.
Në takim morën pjesë edhe furnizues të licencuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke reflektuar njohjen reciproke të licencave ndërmjet vendeve të rajonit.