Ftohen prodhuesit të informohen me udhëzuesit e Skemës së Granteve për Energji të Pastër
Prishtinë, 02.10.2025 – Ftohen prodhuesit të informohen me udhëzuesit e Skemës së Granteve për Energji të Pastër, që tashmë janë publikuar (LINKU), ndërsa aplikimi do të bëhet gjatë javës në vijim përmes platformës e-Kosova.
Mbështetja do të jetë në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, ndërsa projekti është financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Ndërmarrjet të cilat mund të aplikojnë:
* Janë ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), ose janë ndërmarrje të mëdha dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike;
* Kanë prodhimin ose përpunimin si aktivitet primar ose sekondar,
Të gjitha bizneset e interesuara mund të informohen rreth kësaj thirrje publike, duke shqyrtuar me kujdes kriteret dhe kushtet e përcaktuara në udhëzuesit më poshtë. Kjo skemë mbështet bizneset prodhuese dhe përpunuese që duan të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër.
Skema e Granteve për Energji të Pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, të cilat përfshijnë masat e mëposhtme:
- Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike.
- Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve.
- Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:
- Sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike,
- Sisteme solare për ngrohjen e ujit,
- Efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave,
- Bateri për sisteme solare FV, si dhe
- Shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.
Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë:
- deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
- deri në 25,000 euro për masa të kombinuara. Përveç financimit, skema do të ofrojë edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit, duke siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata.
Të gjitha detajet mbi mënyrën e aplikimit janë publikuar, ndërasa aplimki do të bëhet përmes platformës e-Kosova.
Për më shumë detaje mbi procesin e aplikimit për secilën masë, ju lutem shikoni udhëzuesit e mëposhtëm:
Udhëzues: Mbështetja për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive – Masa 1
Udhëzues: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve – Masa 2
Udhëzues: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit – Masa 3