Fjala e plotë e ministres në konferencën rreth çështjeve aktuale dhe adresimit të paqartësive e dezinformatave lidhur me sektorin e energjisë

Të dashur përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë,

Së pari dua të filloj me një falënderim të pafund për punonjësit dhe menaxhmentin e termocentraleve tona për një punë me vetmohim përgjatë gjithë fundjavës që ka mundësuar rikthimin e blloqeve B1 dhe A5 dje dhe sot herët në mëngjes. Me këtë rast dua të adresoj edhe disa dezinformata që kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit e që nuk ka pasur asnjë moment kur KEK-u ka prodhuar 0 MW/h ose që Kosova në ndonjë moment ka qenë kolaps energjetik siç është raportuar nga disa.

Të dashur qytetarë, ne kemi sfida në sektorin energjetik, sepse siguria jonë e furnizimit varet nga termocentralet 62 e 42 vjeçare, sepse nuk janë bërë kurrë rehabilitime të tyre. Një arsye pse, që nga prilli nuk i kemi në funksion të gjitha blloqet është sepse për herë të parë në termocentralin “Kosova B” modernizojmë turbinat dhe rrjedhimisht blloku B2 është jashtë funksionit për t’u kryer këto operime për gati gjashtë muaj. Kjo është një sakrificë e përkohshme, por e domosdoshme dhe duhet ta bëjmë tash sepse nuk e kanë bërë më kohë kur çmimet e importit kanë qenë trefish më të lira.

Po thuhet ndër të tjera që këto janë remonte të rregullta që po bëhen në termocentralin “Kosova B”, që janë bërë gjithmonë. Kjo nuk është e saktë. Këto po bëhen për herë të parë. Janë bërë intervenime të vogla, qindra tenderë që kanë kushtuar në total mbi 1 miliard euro që kanë shkuar në termocentralet tona, mirëpo kurrë nuk janë bërë rehabilitime dhe modernizime të tilla siç i kemi filluar tani. Për herë të parë në termocentralin “Kosova B” modernizimin e turbinave plus vendosjen e filterëve dhe një sërë investimesh përcjellëse në kulla ftohëse e të tjera të cilat do ta rrisin kapacitetin për 80 MW dhe do ta ulin dukshëm ndotjen kur ta përfundojnë.

Kjo është modernizimi i turbinave. Pra është një ndër ato kontratat një burimore që përmendet tashmë që disa vite që është bërë me kompaninë amerikane General Electric sepse ata e kanë ekspertizën e teknologjisë origjinale të “Kosovës B” kur është ndërtuar fillimisht në strategjinë e energjisë të miratuar para tre vitesh ku është vendosur për rehabilitimin e së paku një njësie të termocentralit Kosova A. Kjo duke u bazuar në faktin se kombinimi i rehabilitimit të Kosovës A me burime të ripërtëritshme të energjisë ka qenë dukshëm më i liri opsion në krahasim me opsione të tjera që e kanë pasur gazin që kanë qenë duke u konsideruar. Bazuar në këtë, KEK ka filluar përgatitjen e dokumentacionit të tenderit për rehabilitim të thellë të njësisë A3 dhe për këtë si qeveri kemi kërkuar mbështetjen e teknike nga USAIDI dhe kemi qenë shumë me fat që ata kanë ofruar asistencë teknike për përgatitjen e dokumentacionit të tenderit.

Unë personalisht nuk e kam pasur dosjen e nuk e kam parë dosjen e tenderit, por nga KEK më njoftojnë se dokumentacioni i tenderit të shpallur nga KEK është i hapur konkurrues dhe jo diskriminues në përputhje të plotë me ligjin për prokurim publik dhe standardet ndërkombëtare dhe se pjesë e këtij procesi janë edhe kriteret e qarta të performancës e transparenca për pjesëmarrje. Por për këtë do të deklarohet vetë KEK si bartës i kësaj procedure konkurruese.

Për më tepër dëgjova që sot në konferencë për medie paska pasur deklarata se KEK pret që në tender të ketë gjashtë ofertues. Këtë gjë unë e dëgjova për herë të parë dhe nuk e di nëse kjo është e saktë. Në pyetjen time ndaj KEK-ut, përgjigjja e tyre ishte kjo. Procesi i prokurimit për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 është i menaxhuar përmes platformës zyrtare të e-prokurimit, e cila nuk lejon qasjen informacion mbi numrin e ofertuesve deri në momentin e hapjes zyrtare të ofertave. Prandaj çdo deklaratë publike se janë gjashtë operatorë ekonomikë që kanë ofertuar në këtë fazë jo vetëm që është teknikisht e pamundur për t’u verifikuar, por përbën shkelje të parimeve të konfidencialitetit, konkurrencës së ndershme dhe integritetit të procesit të prokurimit publik. Ministria e Ekonomisë kërkon llogari nga deklaruesja për burimin e kësaj informate dhe fton organet përkatëse që të verifikojnë nëse ka pasur ndonjë rrjedhje të dhënave apo qasje të paautorizuar në sistemin elektronik të prokurimit.

Kohëve të fundit kanë qarkulluar edhe një sërë dezinformatash në lidhje me importin e energjisë elektrike në Kosovë. E para është thënë që importi gjatë katër viteve të fundit është rritur në mbi 3000 GW orë. Këto shifra janë thjesht të pasakta siç ka njoftuar edhe KOSTT sot në një publikim për medie. Nëse mund t’i shohim, figura e parë është figura e cila është paraqitur,  sipas të cilës ka një rritje në mbi 3000 MW/h import gjatë viteve të fundit,  katër viteve të fundit. Ndërsa kjo figura e dytë që po e shihni është informata zyrtare dhe e saktë e publikuar sot nga KOSTT dhe siç po e shihni figura e saktë tregon që importi në Kosovë ka qenë prej diku rreth 1.000 deri në rreth 1500 GW/h e jo mbi 3.000 siç është thënë. Unë nuk e di se nga po i marrin këto informata, mirëpo nëse po i referohen ASK-së është mirë të tregojnë informatën e plotë për mënyrën e përllogaritjes dhe mënyrën dhe përkufizimin e indikatorit. Sepse për shembull nëse i shihni statistikat e energjisë të ASK-së për muajin mars 2025, aty thuhet qartë që në këto informata, në këto të dhëna janë përfshirë edhe sasitë e transmetimit ndërkombëtar, pra energjia tranzit që  kalon nëpër Kosovë. Kjo është sikur të themi që të gjitha mallrat që eksportohen nga Maqedonia e Veriut në Mal të Zi dhe kalojnë nëpër Kosovë t’i llogarisim si import të Kosovës, gjë që nuk ka asnjë kuptim.

E dyta është thënë gjatë ditëve të fundit se Kosova po importon energji nga Serbia duke ju referuar gabimisht rrjedhave fizike të energjisë në linjat e transmetimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë kushdo që din veç pak për sektorin e energjisë, e ka parasysh që tregtimi në linjat mes Kosovës dhe Serbisë është i bllokuar që nga pavarësimi energjetik i Kosovës në vitin 2020. Me këtë rast dua dhe ta përkujtoj një gjë që e kam treguar disa herë përgjatë këtyre viteve e që kushdo që ka lidhje me energji ose dëshiron të dijë e di që qeveria nuk blen energji. Adresën

për pyetjet se si blihet energjia, në çfarë çmimi, në çfarë rrugë, nga cilët operator e keni tek furnizuesit KESCO si furnizuesi kryesor, një kompani e privatizuar qysh në vitin 2013, e cila nuk ka asnjë lidhje me qeverinë e Republikës së Kosovës tashmë.

E treta po flitet për kostot e kapaciteteve ndërkufitare që kanë arritur çmimet jashtëzakonisht të larta në disa orë gjatë disa ditëve të vitit të kaluar duke aluduar në akuza për KOSTT-in dhe ZRrE-në në këtë çështje. Është me rëndësi të gjithë ta kenë të qartë që importi i energjisë elektrike nuk realizohet nga KOSTT por nga furnizuesit e licencuar, siç ka deklaruar edhe KOSTT sot. KOSTT si dhe operatorët e tjerë të sistemit në rajon e kanë për obligim që sipas direktivave evropiane shfrytëzimin e kapaciteteve ndërkufitare ta ofrojnë përmes tregut.

Kjo bëhet përmes zyrave rajonale në Bashkimin Evropian përmes zyrës JAO, ndërsa në Evropën Juglindore përmes zyrës së Evropës Juglindore CAO, SECAO. Që nga nëntori 2020 kur është funksionalizuar kontrolli në kufij apo pavarësimi energjetik i Kosovës siç i referohemi rëndom edhe Kosova i alokon kapacitetet ndërkufitare përmes zyrës SECAO. Pra këtë e bën KOSTT-i si operator i transmisionit. Aty tregtohen kapacitete ndërkufitare mes Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës, Greqisë dhe Turqisë. Pra KOSTT alokon kapacitetet përmes ndërsa ZRRE ka përgjegjësinë për të monitoruar eksante paraprakisht dhe ekspos pas faktit zbatimin e rregullativës  dhe hetimet eventuale, njëjtë siç ka hetuar operatorët për sjelljet gjatë krizës energjetike dhe KEDS dhe KESCO për shembull për furnizim dhe devijime  i ka dënuar me rreth 12 milion euro para disa vitesh, për atë kohën e krizës së vitit 2021-2022, është fjala. ZRE-ja ka deklaruar publikisht se janë duke hetuar këtë çështje që nga dhjetori i vitit të kaluar. Ne presim që ZR-ja ta trajtojë me prioritet dhe me seriozitet çdo dyshim për manipulim nga kompanitë private që e kanë bërë tregtimin.

Ju e dini se Bordi ZRRE-së si institucion i pavarur emërohet nga Kuvendi dhe i përgjigjet Kuvendit. Njëjtë edhe bordi i KOSTT-it. Unë në cilësinë e ministres kaq mund të them për këtë punë, por si përfaqësuese politike mund të them se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do t’i trajtojë përgjegjësitë dhe do të sigurohet që në rast se adresimi i kësaj çështjeje nga ZRRE ose nga KOSTT nuk ka qenë i duhuri, personat përgjegjës do të do të japin llogari.

Meqë jam tek demantimi i dezinformatave, më lejoni ta jap edhe një sqarim të shkurtër lidhur me ankandin solar të shpallur para dy vitesh nga Ministria e Ekonomisë. Për kontekst, për ata që nuk e dinë, duke qenë se ankandi është një proces i ri që është bërë në Kosovë për herë të parë  tek procesi i ankandit shteti nuk paguan për ndërtimin e parkut solar. Atë e ndërton investitori dhe për këtë investitori ka garantuar 7.5 milion euro me një garancion të dorëzuar tek Ministria e Ekonomisë që mund të tërhiqet pa kushte në rast se konsorciumi, operatori, fitues dështon

në ndërtim. Shteti nga ana tjetër përmes KOSTT-it ka garantuar se do ta blejë energjinë e prodhuar për 15 vite. Pra ka një kontratë për blerje të energjisë. Gjatë ankandit KOSTT kishte vështirësi financiare për shkak të mospagesës së energjisë elektrike në veri të vendit. Prandaj disa investitorë potencial kishin kërkuar një garancion bankar ose garancion të formës tjetër për t’u siguruar që KOSTT do të ishte në gjendje ta paguante energjinë që e merr për konsumatorët tonë kur parku solar të hyjë në funksion.

Asnjë institucion nuk ka lëshuar një garancion të tillë. Ai parashihet të lëshohet nga KOSTT me rastin e fillimit të prodhimit të parkut të energjisë nga parku solar. Garancioni do të aktivizohej vetëm në rast se do të kishte vonesa të konsiderueshme në realizimin e pagesave nga ana e KOSTT-it, me ç’rast investitori do të inkasonte borxhin, pra jo tërë vlerën e garancionit, por sasinë që KOSTT-i do t’i mbetej borxh, në rast se kjo ndodh. Nëse dhënia e garancionit do të kishte ndonjë kosto, se nuk dihet a do të ketë apo jo dhe nëse kjo kosto do të reflektohej në tarifë, ndikimi do të ishte i papërfillshëm, jo më shumë se 0.002%. Pra një faturë mujore. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që nëse do të kishte ndonjë kosto në tarifa pas dy vitesh,  ndikimi do të ishte i tillë që nëse sot paguani faturë mujore 5.000€, kjo faturë do të bëhej do të rritej për një cent, pra  5.000 euro e 1 cent. Të gjitha detajet e projektit përfshirë ato rreth garancioneve janë përcaktuar gjatë fazës së konkurrimit kur edhe janë njoftuar të gjithë investitorët potencial. Prandaj çdo insinuatë për konkurrencë të padrejtë ose për favorizime  nuk ka se si të jetë e vërtetë. Si rezultat i transparencës dhe konkurrencës së fortë, energjia është siguruar me çmim shumë të favorshëm prej 48.88 euro për MW/h. Për krahasim ne sot  paguajmë 161 deri në 167 EUR për megavat or për kapacitetet solare që janë ndërtuar si rezultat i skemave të kaluara të fidel tarifës para qeverisjes tonë.

Ky ankand i realizuar me përkrahje të parezervë nga qeveria e SHBA-ve përmes USAID-it ka krijuar imazhin e Kosovës si një destinacion udhëheqës dhe tërheqës për investime në energji të ripërtërishme. Prandaj çdo dezinformatë jo vetëm jo vetëm që e cenon këtë imazh të projektit, mirëpo edhe imazhin e Kosovës që kemi luftuar shumë ta përmirësojmë si destinacion i investimeve të huaja. Prandaj i lusim të gjitha palët që para se të deklarohen dhe para se të hedhin akuza e lajme të pabaza, deklarata të pabaza, të informohen saktë që është në të mirë të interesit publik dhe në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në fund krejt një term që po thuhet tash e disa muaj, “mafia energjetike”. Nuk kam fol më herët për këtë se është aq pa lidhje e aq e pa bazë saqë nuk më është dukur e denjë që ta them. Fatkeqësisht nuk po ndalen disa duke e thënë. Prandaj veç dua ta them thjesht të qartë. Mafia Energjetike Ballkan mund të ekzistojë e ta ketë selinë në Beograd, por asnjë institucion i Republikës së Kosovës nuk ka asnjë raport ose kontakt ose lidhje me ta, as shoqëror, as biznesor, as kurrë fare. Është absurde që të kem nevojë ta them këtë duke qenë se ata që akuzojnë e flasin nuk kanë jo një fakt, po asnjë fije fakti për atë që thonë.

Tashmë për mua është e qartë që në politikë e jo vetëm në politikë ka individë që janë të gatshëm që me çdo kusht pa fije turpi e profesionalizmi të shpërndajnë dezinformata për qëllime që ata, veç ata mund t’i dinë. Unë tashmë e kam të qartë që prej tyre nuk mund të pritet të jenë korrekt.

Prandaj po ju lus juve si përfaqësues të mediave dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos i merrni të mirëqena të gjitha deklaratat që i dëgjoni e që i lexoni, por  t’u referoheni informatave zyrtare nga institucionet dhe kompanitë përgjegjëse në lidhjet me në lidhje me zhvillimet në sektorin e energjisë dhe jo vetëm.