Fjala e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës
Sot në Mbledhjen e Qeverisë kemi marrë një vendim të rëndësishëm, sa i përket fillimit të procedurave të tenderimit për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë nga era prej 150 MW.
Qeveria e Republikës së Kosovës, me përkrahje të Korporatës Financiare Ndërkombëtare – IFC si këshilltar kryesor i transaksionit, si dhe me përkrahje të USAID-it, të cilët kanë qenë përkrahës edhe gjatë ankandit të parë solar që kemi pasur tejet të suksesshëm, planifikojmë që përgjatë muajit tetor 2024 do të lansojmë projektet e reja konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së erës prej 150 MW.
Sot në mbledhjen e Qeverisë siç e patë kemi marrë vendim për autorizimin e fillimit të procedurave të tenderimit për këto kapacitete gjeneruese, si dhe për të dhënë mbështetje për këto.
Dokumentacioni i tenderit si dhe skema do të përgatiten për gjatë muajve në vijim, do t’i propozohen dhe do të trajtohen në kuadër të Komitetit për Partneritet Publiko-privat dhe përmes këtyre synojmë të avancojmë edhe më tej qëllimet tona për të krijuar një sektor të energjisë më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të pastër.
Gjatë dizajnimit dhe realizimit të projektit do të ndjekin procedura të larta të transparencës dhe drejtësisë, të cilat kanë qenë në nivelin më të lartë për gjatë ankandit të parë solar, gjë që ka rezultuar me një ankand tejet të suksesshëm dhe proces tejet transparent.
Ndërtimi i kapaciteteve prej 150 MW të erës do të jetë i ndarë në dy procese te konkurrueshme dhe do të ofrojë marrëveshje për blerjen e energjisë për së paku 15 vite. Në këtë mënyrë synojmë që të sigurojmë konkurrencë sa më të gjerë, e në të njëjtën kohë të mundësojmë shfrytëzimin e të dhënave ekzistuese të besueshme, sa i përket matjeve të erës, për të optimizuar edhe përzgjedhjen e lokacioneve dhe realizueshmërinë e projekteve.
Projektet planifikohet të përfshijnë edhe komponenten e partneritetit publik-privat (PPP), që do të realizohet për herë të parë në një projekt të tillë në rajon, e përmes të cilit synojnë edhe të inkurajojnë investimet e sektorit privat dhe të dëshmojnë angazhimin tonë ndaj këtyre projekteve, të lehtësojnë mbështetjen financiare dhe të ulim riskun e projektit, gjë që përfundimisht sjell tek çmimet sa më të lira për konsumatorët.
Që nga prilli i vitit 2023 ne e kemi filluar punën si qeveri, që ka sjell deri të ky vendim dhe fillimi i këtij procesi. Në muajin prill të vitit 2023, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (IMF) përmes të cilës sigurohen 50 milionë euro për mbështetje të Strategjisë së Energjisë së vendit.
Ministria e Ekonomisë synon të përdorë këto fonde për të bashkë-investuar në projektet e erës, për të cilat po flasim sot dhe siç e thash sigurohemi që si shtet edhe mund të kontribuojmë në investim në projekt, mirë po edhe të ulim koston e projektit sa më shumë që është e mundshme dhe përfundimisht të sigurojmë çmime sa më të lira për konsumatorët.
Në mars të këtij viti, ne Ministria e Ekonomisë kemi nënshkruar marrëveshjen me IFC-në për mbështetje në zhvillimin e projekteve të erës, në këtë mënyrë IFC si partner është bashkëngjitur në këtë proces, ku punët përgatitore i kemi filluar me USAID-in gjatë vitit paraprak.
Më 23 prill 2024, në emër të Ministrisë së Ekonomisë kam bërë kërkesë në ZRrE për të vlerësuar arritjen e caqeve të BRE-ve dhe objektivave të Strategjisë përmes procedurave të autorizimeve dhe pas kësaj më 31 maj 2024 ZRrE-ja merr vendim që projektit të ankandit të erës me kapacitet 150 MW nuk do t’i aplikohet procedurë e autroizimit dhe do të realizohet në pajtim me Ligjin për Partneritetin Publiko Privat, gjë që i ka hapur rrugë vendimit që e morëm sot.
Në fillim të këtij muaji, ne si ministri kemi publikuar një përmbledhje me informative me informatat teknike preliminare për zhvilluesit e projekteve të erës që janë të interesuar të konkurrojnë. Përmes këtyre informatave ne sigurohemi që ofertuesit potencialë të jenë të informuar dhe mund të ndërmarrin hapat e duhur për të përgatitur për aplikim sa më herët që është e mundur. Megjithatë, kriteret teknike që i kemi publikuar, nuk janë ende përfundimtare dhe nuk janë finale, mund të rishikohen deri në publikimin zyrtar të këtyre projekteve konkurruese.
Projekti i parë pritet të shpallet në tetor të këtij viti, ndërsa projekti i dytë pritet të publikohet në vitin në vijim. Secili nga ta parashihet të ketë kapacitet rreth 75 MW, por që mund të jetë më i ultë dhe më i lartë, varësisht nga konkurrenca dhe niveli i kapaciteteve të ofruara.
Të gjitha këto janë hapa të rëndësishëm, të cilët na mundësojnë që të lëvizim drejtë një sektori të energjisë më të pastër dhe të realizojmë Strategjinë tonë të Energjisë, e cila është mjaft ambicioze, mirëpo siç e kemi thënë prej fillimit me punë dhe angazhim të të gjithë akterve të vendit dhe ndërkombëtar, është plotësisht e realizueshme.
Ju faleminderit dhe na prift e mbara edhe në këtë projekt!