Fillojnë punimet për modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës fikse me fibra optikë në rrjetin e Telekomit të Kosovës
Fushë Kosovë, 05.05.2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar fillimin e punimeve për shtrirjen e rrjetit optik të Telekomit të Kosovës, një projekt strategjik që shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve fikse të komunikimit në të gjithë territorin e vendit.
Kryeministri dhe Ministrja u pritën nga kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, së bashku me drejtorin teknik Halil Krasniqi, anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe kryetarin e Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj. Ata i informuan Kryeministrin dhe Ministren për detajet teknike, hapësirën gjeografike që do të mbulohet dhe ndikimin konkret që ky investim do të ketë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Ky projekt përfshin modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës optikë në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat veriore, duke mundësuar akses në:
- internet me shpejtësi të lartë (fiber),
- shërbime të avancuara televizive (IPTV),
- linja moderne telefonike fikse.
“Po e bëjmë vendosjen e fibrave optikë këtu në Fushë Kosovë që do të jetë shumë i dobishëm si për amvisëritë, ndërtesat banesore, gjithashtu edhe për zonat industriale për bizneset e vendit tonë. Telekomin e Kosovës kjo udhëheqje e ka gjetur në 50 milionë euro borxhe, kurse në vitet 2023 dhe 2024, së bashku e kanë kthyer në një ndërmarrje fitimprurëse me 15 milionë euro fitim. E është veçanërisht e rëndësishme, që në fund të vitit të kaluar, bashkë me gjigandët e teknologjisë nga Suedia dhe nga Kroacia, Ericsson dhe Tesla, kemi bërë modernizimin e rrjetit dhe e kemi mbuluar gjithë territorin e Republikës, përfshirë edhe katër komunat veriore, me rrjetin 4G/4G+ e 5G”, tha Kryeministri Kurti.
Në kuadër të këtij projekti, Telekomi po zëvendëson teknologjitë e vjetra dhe të pasigurta, me pajisje të avancuara nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke rritur sigurinë kibernetike dhe përputhshmërinë me standardet euroatlantike.
Pas modernizimit të rrjetit mobil që mbulon tashmë 100% të territorit të vendit me 4G dhe 5G, ky investim në rrjetin fiks shënon hapin tjetër drejt konvergjencës së plotë të shërbimeve, duke përmirësuar cilësinë për konsumatorët dhe duke rritur konkurrencën në tregun e komunikimeve elektronike.