Fillojnë punimet e shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në fshatin Graboc të Fushë Kosovës

Fushë Kosovë, 11.07.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), Valon Prebreza dhe kryeshefi i KRU “Prishtinës”, Arsim Fetahu, kanë marrë pjesë në fillimin e punimeve të shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në fshatin Graboc të komunës së Fushë Kosovës. Për vite me radhë banorët e këtij fshati nuk kanë pasur qasje të sigurt në ujë të pijshëm.

Me këtë rast, ministrja Rizvanolli tha se me fillimin e këtij projekti jetik për furnizim me ujë të pijshëm për herë të parë, rreth 1,000 banorë të Grabocit do të kenë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre, pasi që këto punime do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

“Ky projekt, me vlerë prej 343 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë, është pjesë e një investimi të madh prej 3.7 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, përmes MMPHI-së, MAPL-së dhe Ministrisë së Ekonomisë, që do të sigurojë ujë të pijshëm për mbi 10 mijë qytetarë në shumicën e fshatrave të Komunës së Fushë-Kosovës”, ka thënë ministrja.

Ministrja tha se në dy vitet e fundit në nivel vendi, vetëm Ministria e Ekonomisë ka ndarë mbi 10 milionë euro dhe po zbaton projekte të ujësjellësit. Në kuadër të projektit në vlerë 3.7 milionë euro ku do të përfitojnë 10 mijë qytetarë, janë duke u kryer punime edhe në rrjetin e ujësjellësit në Bardh të Madh, Lismir dhe Mesabardh, teksa sot filluan punimet edhe në fshatin Graboc.

Ky angazhim do të vazhdojë, derisa uji i pijshëm të jetë i garantuar në çdo shtëpi dhe çdo biznes në vend.