Emetohet pulla postare me portretin e aktorit Bekim Fehmiu

Prishtinë, 05.12.2013 – Promovimi i pullës postare për nder të ikonës së kinematografisë edhe me përmasa botërore, aktorit të shquar shqiptar, Bekim Fehmiut është ngjarje e rëndësishme me të cilën përkujtohet dhe shënohet portreti i një artisti të shquar shqiptar i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e artit, ka deklaruar zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci.

Këto komente Koci i bëri sot me rastin e emetimit të pullës së 100-të postare me portretin e aktorit shqiptar me famë botërore, ku morën pjesë edhe drejtues të Ministrisë së Kulturës, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP, Postës së Kosovës Sh.A, Posta e Maqedonisë, etj.

Koci tha se iniciativat e tilla kreative dhe inovative  gjithmonë do të gjejnë mbështetjen nga MZHE, ndërsa shtoi se kjo pullë është shenje e promovimit dhe e ruajtjes se trashëgimisë kulturore dhe artistike të gjithë shqiptarëve nëpërmjet filatelisë.

Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi tha me këtë rast se shumë njerëz në botë janë koleksionistë të pullave postare me figura artistike, nga sot këtyre koleksioneve do të iu shtohet një pullë e veçantë që do të mbaj figurën e aktorit tonë të shquar, Bekim Fehmiu.

“Ai ishte një artist që udhëtoi në shumë vende dhe kjo pullë postare do të çojë sërish Bekim Fehmiun në ato vende ku ai ka shkel me profesionin e tij. Pulla postare me figurën e Bekimit është një veprim origjinal dhe shumë i rëndësishëm në nderimin e aktorit tonë më të shquar”, tha Krasniqi.

Sejdi Hoxha, Kryeshef i Postës së Kosovës tha se misioni i filatelisë së Postës së Kosovës është promovimi i vlerave historike, kombëtare, kulturore dhe shkencore të Kosovës. Ai tha se Posta e Kosovës do të vazhdojë me zhvillimin e filatelisë por edhe me ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Rafis Aliti nga Posta e Maqedonisë duke vlerësuar figurën e aktorit të madh shqiptar tha se Bekimi u shkëput si meteor dhe shkëlqeu si yll.