Emetohet pulla postare kushtuar heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci
Prishtinë, 22.09.2014 – Promovimi zyrtar i pullës postare për nder të heronjve të kombit, Fehmi dhe Xhevë është ngjarje e rëndësishme, për faktin që përmes promovimit të kësaj pulle postare, përkujtohen portretet që para gjashtëmbëdhjetë vite më parë, u flijuan për lirinë e vendit tonë, në Kodrën e Qëndresës, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Këto komete ai i bëri me rastin e promovimit të pullës postare nga Posta e Kosovës kushtuar dy heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, në 16-vjetorin e rënies së tyre, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Ambasadës Kroate në Prishtinë, Postës së Kosovës, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe personalitete të jetës publike.
“Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, që të dy të edukuar me ide kombëtare, hynë në Historinë e Re Kombëtare, duke materializuar me gjakun e tyre idenë e çlirimit kombëtar si dy bashkëshortë, dy bashkëluftëtarë, dy bashkë-dëshmorë që me virtytet e tyre jetësore krahasohen me çiftin po ashtu bashkëluftëtarë dhe dëshmorë, Azem dhe Shotë Galica”, tha Ismajli.
Kreu i MZHE-së, tha se kjo pullë postare nuk do të shërbejë vetëm si mjet i pagesës së shërbimeve postare, por do të jetë edhe simbol i promovimit të historisë së Kosovës përmes filatelisë dhe shtoi se iniciativat e tilla gjithmonë do të gjejnë në vazhdimësi mbështetjen e MZHE-së.
Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se imazhi dhe historia që përcillet përmes kësaj pulle postare do të udhëtojë jo vetëm nëpër trojet tona, por në tërë globin, ngase duam që edhe bota të mësojë për dy viganët e lirisë së Kosovës.
Për dy nga figurat më të shquara të historisë së re të Kosovës ka folur edhe bashkëveprimtari dhe bashkëluftëtari i tyre, Musa Xhaferi, tani Zëvendëskryeministër i Maqedonisë.
Me këtë rast, për kontributin në luftën çlirimtare në Kroaci, familjes së Fehmi e Xhevë Lladrovcit u është dorëzuar një medalje nga shteti kroat përmes përfaqësuesit të Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Prishtinë si dhe një Mirënjohje nga Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë nga Kroacia.
Ndërsa, Kryeshefi i PK-së u ka dorëzuar familjes Lladrovci dhe Krasniqi, Pullën Postare “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, e punuar në bronz.
Misioni i Filatelisë së Postës së Kosovës është që përmes emetimit të pullave postare të promovojë vlerat historike, kombëtare, kulturore, shkencore e sportive të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.