Dialogu publiko-privat, krucial për përmirësimin e ambientit biznesor

Prishtinë, 28.05.2013 – Besoj fuqishëm se dialogu gjithëpërfshirës dhe i mirëfilltë publiko-privat është krucial për përmirësimin e ambientit të biznesit dhe fuqizimit të një zhvillimi të qëndrueshëm të shtetit përfshirë zhvillimin ekonomik, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente ministri Ismajli i bëri sot në Konferencën “Roli i Dialogut Publiko-Privat në Zhvillimin Ekonomik në Kosovë”, organizuar nga Deloitte, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe MDA, ku morën pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, Ministri i Financave, Besim Beqaj dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Ministri Ismajli tha se koncepti i dialogut publiko-privat nuk është koncept i ri. Ky koncept pothuajse në të gjitha vendet e botës, me përjashtim të disa vendeve diktatoriale  është pranuar si një nga mekanizmat për ta promovuar dhe përkrahur zhvillimin e atyre shteteve.

Ai tha se duke u nisur nga roli i dialogut Publiko-Privat në Kosovë si temë e këtij takimi duhet të shihen përfitimet e mundshme nga ky dialog siç janë; Lehtësimi i reformave që kanë synim përmirësimin e klimës së investimeve; Promovimi i diagnostifikimit më të mirë të problemeve të klimës investive dhe projektimit të reformave të politikave; Lehtësimi i implementimit të reformave të politikave; Promovimi i transparencës, qeverisjes së mirë dhe analizës rigoroze kost- benefit dhe duke krijuar presion të mbikëqyrjes publike; dhe Ndërtimin e një atmosfere të besimit të dyanshëm dhe mirëkuptimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat duke përmirësuar kohezionin social dhe shoqërinë civile.

Ministri Ismajli është zotuar se si ministër i Zhvillimit Ekonomik asnjëherë nuk do ta kursejë veten për të qenë partner i denjë në këtë proces i Zv.kryeministres, Kusali-Lila dhe ministrit Beqaj, bizneseve, shoqërisë civile, agjencive donatore si dhe gjithë akterëve tjerë relevantë që e përkrahin Kosovën drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

Ndërsa, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila tha se rritja e investimeve dhe përmirësimi i ambientit të biznesit për politik bërësit ekzekutiv mbetet një nga synimet kryesore.

Sipas saj, Qeveria është duke bërë të pamundurën që të forcojë sistemin ekzistues të tregut të  lirë duke siguruar që Kosova është një partner i respektuar, që Kosova  ka një imazh, që Kosova të tregohet si një shtet stabil i integruar në rajon, BE dhe në botë, megjithëse transformimi në ekonominë e tregut po shoqërohet me shumë sfida.

Ministri i Financave, Besim Beqaj theksoi se falë një përkushtimi dhe një angazhimi jashtëzakonisht të fuqishëm të BE-së në krijimin e kapaciteteve në Ministrinë e Financave por edhe me Qeverinë e Kosovës, Qeveria ka një sistem jashtëzakonisht të balancuar fiskal, i cili i mundëson që shteti tët funksionojë pa probleme, por njëkohësisht edhe një mundësi të mirë për zhvillim. Ai tha politikat fiskale të cilat aplikon Kosova janë konkurruese me vendet e rajonit.

Nga ana tjetër, Jose Ceron nga Deloitte vuri në dukje se ngritja e ambientit biznesor nuk është një gjë që ndodh vetëm një herë, por është një gjë e vazhdueshme.

Ai tha se qasja e tyre ndaj mjedisit binzesor është që të përcaktohet cikli jetësor i biznesit. Faza e parë, fillimi i biznesit, faza e dytë, të bëhet operacional biznesi dhe e treta është dalja nga tregu apo nga biznesi.
Ceron nënvizoi se dialogu publiko-privat zakonisht ofron një strukturë me llogaridhënie.