Deri në 280 shtëpi të familjeve në nevojë do të bëhen më të ngrohta dhe më efiçiente

Deri në 280 shtëpi të familjeve në nevojë, në komuna të ndryshme të vendit, do të përfitojnë nga përmirësimi i efiçiencës së energjisë përmes projektit #GreenEnergyFuture, duke u bërë më të ngrohta, më komode dhe më efiçiente nga ana energjetike.

Projekti #GreenEnergyFuture financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në partneritet me Fondin për Efiçiencë të Energjisë (KEEF) dhe Ministrinë e Ekonomisë (ME).

Investimet në kuadër të këtij projekti përfshijnë izolimin e mbështjellësit të jashtëm të objekteve, përfshirë muret e jashtme, çatitë dhe tavanet, si dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve me pajisje më efiçiente. Këto masa synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet përfituese, uljen e konsumit të energjisë dhe kontribuimin në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër dhe të qëndrueshme.

Iniciativa për efiçiencë të energjisë pritet të përfundojë deri në vitin 2028 dhe mbështet një tranzicion energjetik të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, me fokus të veçantë te kategoritë sociale në nevojë.