Delegacioni i EBA-së njoftohet me resurset ekonomike të Kosovës

Prishtinë, 03.11.2014- Një delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i përbërë nga ministrat që mbulojnë sektorët e ekonomisë kanë pritur sot delegacionin faktmbledhës të nivelit të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, të përfaqësuar nga sektori publik dhe privat, i udhëhequr nga kryesuesi i Departamentit të Zhvillimit Ekonomik, Ali Majed Al Mansoori

Në këtë kuadër, Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar delegacionin e EBA-së për resurset ekonomike që ka vendi dhe pozitës e saj gjeografike në Evropën Juglindore e cila i jep mundësi të shumta si një udhëkryq i qarkullimit ekonomik, duke ftuar ata që të investojnë në Kosovë.

Kreu i MZHE-së, tha se në aspektin e pasurive minerare, Kosova zë vendin e pestë në botë me rezervat e linjitit, të cilat planifikon t’i shfrytëzojë për  të siguruar furnizim të sigurt me energji, derisa janë identifikuar resurset e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, siç janë rreth 70 lokacione për hidrocentrale, ndërkaq ka tarifa stimuluese edhe për energji diellore, erës dhe biomasës, që paraqesin interes për investime.

Ismajli tha se Kosova gjithashtu ka resurse minerare, aktualisht janë 18 miniera të cilat vlerësohen mjaft të pasura me plumb, zink, krom, magnez, etj që do të ishin atraktive për investime.

Një fushë tjetër që sipas ministrit Ismajli është me perspektive në vend është telekomunikacioni dhe teknologjia informative. Ai tha se investitorët nga EBA në Kosovë mund të gjejnë një popullatë të re, të arsimuar që të plotësojë nevojat e tregut në këtë sektor dhe kompani të reja si partnerë për bashkëpunim.

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka njoftuar delegacionin e EBA-së me sistemin tatimor të Kosovës, klimën investive dhe kornizën ligjore. Ai ka bërë të ditur se Kosova tashmë është anëtarësuar në Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondin Monetar Ndërkombëtar, etj.

Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka kërkuar mbështetje për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan që lidh Kosovën me Serbinë, ndërtimin e linjës hekurudhore mes Kosovës dhe Shqipërisë, linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Malit të Zi, të gjitha këto investime që kapin vlerën prej 550-700 milionë euro.

Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci tha se sektori i bujqësisë në vitet fundit është zhvilluar shumë dhe fushat kryesore ku mund të investohet janë; prodhimi, industria e përpunimit të ushqimit, kultivimi i pemëve dhe perime.