BRE, prioritet i Strategjisë së Energjisë të Kosovës

Prishtinë, 04.04.2014 – Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë janë prioritet në Strategjinë e Energjisë së Kosovës dhe vendi ynë është duke dhënë kontribut të dukshëm në stabilitetin e sistemit të tij elektroenergjetik, por edhe rajonal, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente Ismajli i bëri në tryezën e punës  ku u prezantua Studimi mbi Mundësitë Teknike dhe Ekonomike të Integrimit të Burimeve të Ripërtritshme të Energjisë nga Era në Sistemin Transmetues të Kosovës, ku morën pjesë përfaqësues të BERZH,  KOSTT, Institutit të Energjisë Hrvoje Pozar – Kroaci, Economic Consulting Associates, Britani e Madhe, institucionet e fushës së energjisë dhe shoqëria civile.

Ministri Ismajli vlerësoi se ky studim është një kontribut i vlefshëm për ecjen përpara në aspektin e ndërtimit të bazës studimore që do të shërbejë në ndërtimin e një sistemi  elektroeneregjetik stabil, i cili do të ketë parimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

“Neve kemi marr obligime nga pakoja e tretë për energji dhe në atë drejtim dhe ky studim është një hapje e dyerve që t’i përmbushim obligimet që janë marr si për energji të ripërteritshme, ashtu edhe për efiçiencë. Kemi aprovuar Planin për Energji të Ripërtritshme dhe Efiçiencë të cilët janë në harmoni të plotë me zotimet që janë marrë nga pakoja e tretë apo 20-20-20”, ka thënë Ismajli.

Udhëheqësi i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, Anton Kobakov tha se ky studim është përkrahur nga iniciativa për investime të drejtpërdrejta në sistemet energjetike i cili menaxhohet nga BERZH, ndërsa është dizajnuar për të përkrahur financiarisht studimet për të rritur investimet në burime të ripërtëritshme në tërë rajonin, përfshirë edhe Kosovën.

“Asistenca teknike përkrahet specifikisht nga mjetet e BE-së, donatorët e ndryshëm bilateral, Qeveria e Norvegjisë, jo vetëm që sponzoron në asistencë teknike, por ka për synim edhe zhvillimin e këtyre sektorëve duke i përkrah investimet në energjinë e ripërtëritshme e në veçanti duke ofruar kredi për projektet e qëndrueshme elektroenergjetike”, tha Kobakov.

Naim Bejtullahu, kryeshef i KOSTT tha se në këtë studim paraqitet mundësia e penetrimit të  burimeve të ripërtëritshme, më saktësisht turbinave me erë në sistemin e transmisionit elektrik të Kosovës, çka lidhet ngushtë me mundësitë teknike që i ka sistemi i transmisionit pa tejkaluar elementin ekonomik.

Sipas tij, investimet në BRE, përkatësisht në turbinat me erë kanë kosto të lartë dhe paraprakisht duhet të shihen se cilat janë kushtet teknike dhe refleksionet financiare të penetrimit të këtyre burimeve.

Më pas përfaqësues të KOSTT, Institutit të Energjisë Hrvoje Pozar – Kroaci, Economic Consulting Associates, Britani e Madhe kanë bërë prezantimin Studimit mbi Mundësitë Teknike dhe Ekonomike të Integrimit të Burimeve të Ripërtritshme të Energjisë nga Era në Sistemin Transmetues të Kosovës.