BERZH rikonfirmon mbështetjen për Kosovën
Prishtinë 13.04.2016 – Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj- Gashi, ka takuar drejtorin për Ballkanin Perëndimor të BERZH-it z. Holger Muent i shoqëruar nga ekipi punues, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për hartimin e “Strategjia e Kosovës –BERZH”, e cila do të jetë në funksion të vazhdimit dhe thellimit të mbështetjes së BERZH-it, për financimin e ekonomisë dhe bizneseve lokale për Kosovën.
Me këtë rast zëvendësministrja Zogaj- Gashi, ka falënderuar të pranishmit për ndihmën që BERZH po i jep Kosovës në veçanti në promovimin dhe mbështetjen në zhvillimin e qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe Efiçiencës së Energjisë.
Zogaj – Gashi më tej ka njoftuar kreun e BERZH-it z. Muent për projektet dhe prioritetet e MZHE-së respektivisht projektin “Kosova e Re”.
“Tashmë kemi një koncept dokument, i cili është aprovuar në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili përfshinë themelimin e One Stop Shop-it, projektet në fushën e Teknologjisë së Informacionit , nismat për reformën që kanë qëllim përmirësimin e qeverisjes korporative.
Të gjitha këto prioritete dhe masa janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik 2016-2021 e aprovuar dhe Programi i Reformave Ekonomike”, është shprehur Gashi.
Nga ana e tij z. Muent ka ri konfirmuar mbështetjen e BERZH-it për Kosovën, duke shtuar se BERZH është i përkushtuar për tejkalimin e sfidave në sektorin e energjisë.
Ai tha se BERZH do të bashkëpunoj me autoritetet në Kosovë për përfshirjen e sektorit privat në sektorin e energjisë si dhe për mbështetjen e investimeve të nevojshme për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, zhvillimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë.
Ndryshe, strategjia për katër vitet e ardhshme për Kosovën nga BERZH është paraparë të aprovohet në fillim të muajit nëntor të këtij viti.