BERZH do të vazhdojë mbështetjen për projektet zhvillimore

Prishtinë, 15.10.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka pritur sot Drejtuesin e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën (BERZH), Anton Kobakov dhe Holger Muent, i sapoemëruar Drejtor i BERZH-it për Ballkanin Perendimor, me të cilët diskutoi për zhvillimet ekonomike në vend.

Ministri Ismajli ka biseduar me zyrtarët e lartë të BERZH-it për financimin e projekteve të përbashkëta në sektorët e rëndësishëm që mbulon MZHE që stimulojne zhvillimin ekonomik, siç janë energjia, burimet e ripërtëritshme të energjisë, ujërat, minierat etj.

Ismajli ka falënderur BERZH-in për ndihmën që po jep në sektorë të ndryshëm, ndërsa ka siguruar ata që Qeveria ka angazhuar tërë kapacitetet e saj institucionale për të realizuar projektet zhvillimore të vendit, që ndikojnë direct në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Nga ana e tyre drejtuesit e BERZH u zotuan se ky institucion do të vazhdojë të përkrahë MZHE-në në fushat që janë me interes jo vetem për zhvillim ekonomik por edhe në zhvillim të kapitalit njerëzor, përmes workshopeve dhe vizitave studimore me qëllim të këmbimit të përvojave në fusha të interesit të përbashkët.