Beqaj: Pulla e re postare me motiv 5 vjetorin e shtetit ngjarje e rëndësishme
Prishtinë, 15.02.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, ka marrë pjesë në lansimin e Pullës së re postare, e cila i dedikohet shënimit të pesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pulla e re postare në të cilën është shënuar emri i Kosovës me një 5 që simbolizon vitet e shtetit të Kosovës është vlerësuar i një rëndësie të veçantë.
“ Duke u nisur nga rëndësia e pesë vjetorit dhe me propozimin e Komisionit Qeveritar për shënimin e kësaj date kam autorizuar Postën e Kosovës që të emetojë emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare me temën Jubilare ,,5 Vjetori i Pavarësisë”, ka thënë ministri Beqaj.
Ai më tej ka pohuar se pesë vjet më parë deputetët e Kuvendi të Republikës së Kosovës, si të zgjedhur të popullit morën vendimin për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe në këtë mënyrë u përmbyll vullneti politik i shumë gjeneratave të shqiptarëve të Kosovës për krijimin e një shteti të pavarur.
Ministri Beqaj me këtë rast ka përmendur të arriturat e Kosovës sidomos ato në rrafshin ekonomik.
“Kosovën e kanë njohur afro 100 shtete, është bërë anëtare e institucioneve Monetare Ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe së fundi edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, ka thënë ministri Beqaj.
Nga ana tjetër, Sejdi Hoxha Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së tha se kjo pullë postare, është simbol i një të kaluare të lavdishme me plot sakrifica. “Ky mision i pullës postare i dedikohet 17 shkurtit, datës historike jo vetëm për Republikën e Kosovës por datës historike për gjithë shqiptarët, datë kjo që ngjallë ndjenjat e fuqishme të secilit prej nesh”, tha Hoxha.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Drejtorëve në Postën e Kosovës, Halit Isufi tha se Posta e Kosovës nëpërmjet projekteve të tilla është munduar të kontribuoj në zhvillimin e Kosovës.