Beqaj: Projekte konkrete për sektorin e energjisë
Prishtinë, 6 Shtator 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka thënë se Kosova ka projekte konkrete për sektorin e enerjgjisë. |
Duke folur në konferencën kushtuar perspektivës energjike në Kosovë ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës angazhohet për realizimin e strategjive dhe politikave të cilat bëjnë të mundur garantimin e furnizimit të besueshëm me energji elektrike, për të pasur energji me kosto të përballueshme dhe duke zbatuar standardet më të larta mjedisore.
Duke folur për decentralizimin e energjisë, ministri Beqaj ka thënë se privatizimi i KEDS-it është në pajtueshmëri me decentralizimin e sektorit të energjisë në Kosovë.
“ Privatizimi i KEDS është në fazën përfundimtare të tij. Afati për dorëzimin e ofertave ishte në maj 2012, dhe ne i pranuam dy oferta nga ofertuesit e parakualifikuar, një nga konsorciumi Calik-Limak nga Turqia dhe ofertën tjetër nga Elsewedy Electric nga Egjipti. Në qershor, konsorciumi Calik-Limak është shpallur ofertues i preferuar duke ofruar çmimin më lartë prej 26.3 milionë euro. Ne jemi në fazën finale dhe jemi duke u përgatitur për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitblerjes së Aksioneve”.
I pari i MZHE-së theksoi se privatizimi i KEDS-it ka një sërë përparësish krahasuar me privatizimit e sektorëve të tillë në regjion.
“ Futja e pjesëmarrjes së sektorit privat në biznesin e KEDS siguron se investimet kapitale në rrjetin e shpërndarjes rrisin efikasitetin operativ, përmirësojnë shërbimet e përgjithshme për konsumatorët dhe sigurinë e furnizimit. Veç kësaj, KEDS duhet të përmbush caqe shumë agresive për uljen e humbjeve teknike dhe komerciale të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë”, tha ai.
Përmes Komisionit të Privatizimit dhe këshilltarëve të Transaksionit, IFC, Qeveria e Kosovës ka siguruar gjatë gjithë kohës se procesi është i hapur, konkurrues dhe transparent. Me mbështetje të të gjitha palëve të interesit në sektorin e energjisë dhe komunitetin e donatorëve, procesi i privatizimit të KEDS është i strukturar në atë mënyrë që siguron se nuk do të ketë barra afatgjatë në buxhetin e Kosovës. Mësimet e nxjerra nga privatizimet rajonale të shpërndarjes dhe furnizimit kanë rezultuar me krijimin e një strukture ku nuk do të ketë subvencione qeveritare për kompaninë private në rast të mos-inkasimit, si dhe nuk do të ketë garanci sovrane shtetërore të dhuruara të cilat do të mund të krijonin detyrime të kushtëzuara për buxhetin fragjil të Kosovës, tha ministri Beqaj.
Duke folur per projektin e ndërtimit të TC “Kosova e Re” ministri Beqaj tha se projekti është projektuar si termocentral me neto kapacitet prej 2 x 300 MW bazuar në teknologjine më të mirë në dispozicion në rajon dhe zhvillimin e kapaciteteve të mihjes së linjitit në fushën e minierës së Sibovcit .
Ky projekt është në pajtueshmëri me të gjitha Direktivat Mjedisore të BE-së, siç është “Direktiva e re për Emetimet Industriale”, që parashihen investime prej rreth 1 miliardë EURO , në termocentral dhe miniera.
Ofertues tejet të motivuar dhe me kapacitete të larta. Projekti ka mbeshtetjen e Bankës Botërore, BE-së dhe organizatat e tjera e ndërkombëtare.
Projekti siguron kogjenerim, që do të ofrojë ngrohje për sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës (me financim të KfW), siguron vende të reja pune në sektorin e prodhimit të energjisë, mihjes dhe shërbimeve mbështetëse.
Ministri Beqaj theksoi se ofertuesi fitues do të përzgjidhet më 2013 dhe ndërtimi pritet të fillojë më 2014, ndersa hyn në funksion më 2018.
Prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtërishme aktualisht bazohet në kapacitete të ujit dhe erës. Aktualisht, energjia prodhohet nga këto burime të ripërtërishme të energjisë: Ujë; 45.8 MW, Erë; 1.35 MW
Bazuar në studimet për hidrocentralet e vogla, hidro-potenciali i Kosoves është gjithsej 127 MW dhe pritet që të pranojmë aplikacione të tjera për blloqe të prodhimit të energjisë përmes burimeve të ujit.
“ Në ndërkohë, deri në fund të vitit në do të caktojmë caqet e BRE për Kosovën, që do të jetë baza për zhvillimin e mëtejmë për sa i përket tarifave feed-in për burimet tjera të ripërtërishme siç janë kapacitetet solare dhe gjeotermale. Sipas të dhënave ZRRE është në proces të shqyrtimit të 14 aplikacioneve për energji të ripërtërishme”, tha ministri Beqaj.
Duke folur për Hidrocentralin e Zhurit ministri Beqaj tha se aktualisht është në proces të krijimit të grupit punues (Ministritë përkatëse, ZRRE, etj.), për të analizuar situatën aktuale të këtij projekti, dhe propozimit të rekomandimeve për të identifikuar opsionin më të mirë për zhvillim.
Në lëmin e efiçiencës së energjisë Kosova ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë më 2005 , është themeluar Agjencia Kosovare për Efiçiencë të Energjisë (prill 2012), është punuar dhe aprovuar Plani Nacional i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PNVEE) 2010-2018 me cakun e kursimeve. Caku për kursime të energjisë është 9%.
“Në këtë moment disa projekte janë në fazë të implementimit, me financim nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe donatorëve. Vlera totale e investimeve në sektorin e EE-së është më shumë se 30 milionë euro”, tha ministri Beqaj.

