Beqaj: Pro përkrahjes së biznesit, por nuk do të ketë subvencionim klasik

Prizren, 6 Qershor 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, deklaroi të hënën në Prizren se resori qeveritar të cilin e udhëheq synon të përkrah biznesin e vendit, por nuk do të ketë subvencionim klasik, ndërsa do të punohet për krijimin e parakushteve për rritje të zhvillimit ekonomik.

Pas takimit me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministri Beqaj tha se do të ketë një koordinim të punëve me pushtetin lokal për ngritjen e shkallës së zhvillimit ekonomik të vendit, ndërsa ministria të cilën e udhëheq ka hartuar  programe ambicioze, me të cilat synohet zbutja e papunësisë dhe eliminimi i ekonomisë informale.

“Në këtë kontekst kemi paraparë një projekt për eliminimin e licencave dhe të barrierave të panevojshme, si dhe synojmë rritje ekonomike, që do të reflektohet në krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa do të ketë edhe përkrahje për biznesin, por nuk do të preferohet subvencionimi klasik, pasi do të shkohet në krijimin e parakushteve”, tha ai.

Duke i’u përgjigjur interesimit të mediave se si mendohet zbutja e papunësisë në një kohë kur edhe janë përkeqësuar raportet me FMN-në, ministri Beqaj tha se me FMN-në ka ridizajnim të marrëveshjes dhe jo siç po flitet prishje të raporteve. 
Beqaj, ndërkaq theksoi se zvogëlimi i papunësisë synohet përmes realizimit të disa projekteve kapitale, sikur ato të infrastrukturës përfshirë autostradën Vërmicë – Prizren – Merdare, atë për Prishtinë – Shkup, pastaj autostradën Pejë –Mitrovicë, etj.

Pas takimit me kryetarin Muja, ministri Beqaj është takuar me përfaqësues të biznesit me të cilët bisedoi rreth prioriteteve të zhvillimit ekonomik dhe premtoi se Qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat në dispozicion me qëllim të krijimit të kushteve sa më të volitshme për afarizëm.